Kongresmeni amerikan: Do të angazhohem që Kosova të bëhet anëtare e plotë në NATO
Pasi Asambleja Parlamentare e Aleancës së Atlantikut të Veriut miratoi të hënën rekomandimin për avancim të statusit të Kosovës nga anëtare vëzhguese në anëtare të asociuar, ka reaguar edhe kongresmeni amerikan, Ritchie Torres.
“Jam i kënaqur që shoh se Republika e Kosovës ka avancuar në një anëtare të asociuar të Asamblesë Parlamentare të NATO-s.
Ka kaluar shumë kohë që Kosova jo vetëm të anëtarësohet në asamblenë parlamentare, por më e rëndësishmja, të jetë përfundimisht një anëtare e plotë e NATO-s. Duhet bërë më shumë – mbani mend fjalët e mia se unë do të vazhdoj të shtyj para përfshirjen e tyre të plotë në NATO”, ka shkruar Torres.
Ndërkaq, Me avancimin e statusit të saj në anëtare e asociuar, Kosova ka të drejtën të paraqesë rezoluta dhe të kryejë rolin e raportuesit të asociuar special në komitete, por nuk ka të drejtë të votojë për raportet, rezolutat apo udhëheqjen e Asamblesë dhe as nuk kontribuon në buxhetin e saj.
Asambleja Parlamentare e NATO-s është institucionalisht e ndarë nga NATO-ja, por shërben si një lidhje e rëndësishme mes NATO-s dhe parlamenteve të vendeve anëtare. Ajo përbëhet nga 281 delegatë nga të 32 vendet anëtare të NATO-s.