Konjufca: Serbia e ka përdorur dinarin për të shantazhuar serbët e Kosovës
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka deklaruar se heqja e dinarit si valutë në Kosovë, i ndihmon integrimit të komunitetit serb. Ndërsa ka theksuar se sjellja e dinarit nga presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, përmes Listës Serbe ka pasur dhe ka si synim shantazhimin e këtij komuniteti në Kosovë.
Kryeparlamentari Glauk Konjufca ka thënë se dinari nuk ka qenë thjeshtë valutë ose monedhë. Ai ka theksuar se Serbia nëpërmjet Listës Serbe kanë dërguar dinarë nëpër shtëpitë e serbëve të Kosovës që ata t’i mbështesin.
“Dinari ka qenë instrument të cilin dikush e ka sjell fizikisht prej Beogradit, me kombi dhe aty disa zyrtarë të Vuçiqit përmes Listës Serbe, kanë ardhur te shtëpia t’i kanë dhënë paret, të kanë këqyrë pak mrrolshëm dhe e kanë kërkuar lojalitetin tënd. Kjo është arsyeja fizike e shpërndarjes së dinarit.
Nuk është thjeshtë beteja e mirëqenies. Është ushtrimi praktik i Listës Serbe dhe Beogradit te secila familje. Për këtë arsye ka qenë e domosdoshme që shteti jon ta rregullojë”, ka thënë kryeparlamentari.