Konjufca-Spiropali: Të bashkuar përballë sfidave gjeopolitike, e ardhmja jonë në BE
Në një seancë historike të mbledhjes së përbashkët të dy kuvendeve, të Kosovës dhe Shqipërisë, u theksua forcimi i bashkëpunimit mes dy vendeve dhe angazhimi për të ardhmen e përbashkët evropiane. Takimi u hap nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, i cili theksoi rëndësinë e bashkimit përballë sfidave politike dhe gjeopolitike.
Konjufca kritikoi sulmet e fundit ndaj Kosovës, duke i cilësuar ato “sulm terrorist” të mbështetur nga Serbia, dhe theksoi nevojën për njohjen e sovranitetit të Kosovës nga Serbia për normalizimin e marrëdhënieve.
Ai shtoi se Kosova është “kampione e demokracisë në rajon” dhe se “njohja reciproke me Serbinë është e domosdoshme për paqen dhe stabilitetin në rajon”.
“Kjo seancë historike është e para që po ndodh në Kosovë. Kjo seancë e përbashkët në fund të vitit do të dëshmojë unitetin tonë përballë sfidave politike dhe gjeopolitike të sigurisë që shoqërojnë rajonin dhe kontinentin tonë gjatë këtij viti. Ne, si rajon dhe si Kosovë, kemi ndjerë ndikimet e drejtpërdrejta dhe të tërthorta të agresionit rus në Ukrainë. Kosova po e mbyll edhe këtë vit e sulmuar nga elementë që lidhen me Serbinë dhe synojnë destabilizimin e vendit tonë. Sulmi i bërë para pak ditësh nuk mund të konsiderohet ndryshe përveçse një sulm terrorist nga ata që refuzojnë ta pranojnë Kosovën si një rend ligjor dhe si një realitet sovran. Ky sulm i rëndë ndaj infrastrukturës kritike vjen një vit pas një tjetër sulmi të rëndë në Banjskë. Organizimi dhe mbështetja e këtij sulmi është bërë nga Vučić, i cili mbetet ende i pa përballur nga drejtësia në Serbi. Ky bashkëpunimi ynë përbën më shumë se simbolikën e bashkëpunimit institucional. Kjo seancë dëshmon se Kosova dhe Shqipëria janë të bashkuara në çdo aspekt dhe në çdo kushte.
Si Kuvend, kemi pasur një bashkëpunim të shkëlqyeshëm dhe kemi arritur një nivel të ri të bashkëpunimit ndërkombëtar, konkretisht në fushën e legjislacionit. Ne ndajmë edhe idealin e përbashkët për integrimin në Bashkimin Europian, ku synojmë të bëhemi pjesë e të njëjtës familje. Shqipëria ka ecur përpara në këtë drejtim dhe na ofron mësime, pavarësisht masave të pakuptimta që na ka vendosur BE. Kosova mbetet një kampione e demokracisë në rajon, dhe duhet të krenojmë me këtë të gjithë si popull. Shqiptarët kanë qenë gjithmonë aleatët më të natyrshëm të vlerave perëndimore në Ballkan. Falënderojmë Shqipërinë për qëndrimin e saj të fuqishëm në mbrojtjen e interesave të Kosovës në arenën ndërkombëtare. E drejta e Kosovës për të mbrojtur sovranitetin dhe forcimin e demokracisë nuk mund të konsiderohet si cenim i fqinjësisë së mirë, as si përshkallëzim i raporteve me fqinjët tanë. Nuk mund të ketë normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë pa pasur njohje reciproke si dy subjekte sovrane që nuk e kontestojnë njëra tjetrën. Ne jemi të bindur që kjo do të ndodh se kemi në krah Shqipërinë”, tha Konjufca.
Ndërkohë, kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, shprehu mbështetje të fortë për integrimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe kritikoi shtetet e BE-së që ende nuk e kanë njohur Kosovën.
“Nxisim 5 vendet e BE që ende nuk e kanë njohur Kosovën, ta pranojnë sa më shpejt,” tha Spiropali, ndërsa theksoi gjithashtu se shqiptarët janë të palëkundur në ndërtimin e një shoqërie europiane dhe euroatlantike, duke shtuar se integrimi i Shqipërisë dhe Kosovës në BE është “themel i të ardhmes tonë”.
“Jemi një gjak, një gjuhë, një histori e një kulturë. Duhet të takohemi të gjithë aq sa jemi me miliona me u taku dhe t’i tregojmë botës çfarë mundemi të bëhet kur jemi bashkë. Jo rrallë Ballkani ka qenë truall i ankesës, që të projektojnë dramat dhe pakënaqësitë diku gjet për të gjetur ngushëllim për brengat që historia ka prodhuar pafund për këtë pjesë të Europës. Në këtë moment historik ku kemi mbërritur shqiptarët janë të palëkundur për ndërtimin e një shoqëria europaine dhe euroatlantike. Sot diskutojmë se çfarë kemi bërë mirë dhe çfarë duhet të bëjmë më mirë në axhendën tonë të përbashkët të integrimit europian dhe rrugëtimin e pandalshëm drejt Europës. Integrimi i Shqipërisë në BE dhe integrimi euroatlantik i Kosovës dhe njohja e sovranitetit të saj, janë detyrat tona dhe themeli i të ardhmes tonë. Orientimi i gabuar nuk është opsion për ne dhe të kuptojmë historinë e re që po shkruhet në rajonin tonë. Shqipëria ka mbërritur në dyert e BE-së pas një udhëtimi sfilitës të mbushur me zhgënjime dhe prapakthime. Shqipëria është ai vend i rajonit që e ka merituar më shumë se çdo vend tjetër anëtarësimin në BE. Mjedisi i Ballkanit është dinamik dhe është detyra jonë t’i japim përgjigjet më të mira së bashku.
Jemi të brengosur që Kosova ende nuk e ka fituar statusin për anëtarësimin në KiE. Nxisim 5 vendet e BE që se kanë njohur ende Kosovën dhe ta pranojnë se Kosova është edhe një flamur më shumë se selinë e OKB dhe një yll më shumë në flamurin europian. Shqipëria do të vijojë mbështetjen e Kosovës për anëtarësim në KiE dhe pranimi i sa është vetëm çështje kohe se kushtet janë plotësuar. Sfidat që Kosova ka janë të kuptueshme dhe janë njëherazi dhe sfidat tona. Njohja reciproke e Kosovës dhe Serbisë është e nevojshme pasi në të kundërt ky skaj i europës do të jetë një dhimbje koke për banorët e tij. Si anëtarë të NATO-s nxisim marrëdhëniet e Kosovës me aleancën dhe NATO është garancia e sigurisë së Kosovës dhe e gjithë botës. Ndjekim me shqetësim spiralen e destabilizimit në veri të Kosovës dhe mbështesim përpjekjet e Kosovës për garantimin e ligjit në çdo hapësirë të republikës së saj në partneritet të ngushtë me aleatët tanë. Shqipëria dhe Kosova do të duhet të përqendrohen dhe të koordinohen për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve kudo që janë në rajon dhe botë”, u shpreh ajo.
Spiropali dhe Konjufca theksuan rëndësinë e forcimit të marrëdhënieve me NATO-n dhe koordinimin mes Shqipërisë dhe Kosovës për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në rajon dhe në botë.