Konkursi “Oda Poetike”/Viti 2024 është shpallur viti i Gjuhës Shqipe dhe synon evidentimin e saj
“Oda poetike” është konkursi i nxënësve të ciklit 9-vjeçar që zhvillohet me iniciativën e ZVA Shkodër. Shkollat publike dhe jopublike të Shkodrës dhe njësive administrative janë pjesë e tij për të dytin vit me radhë. Në mjediset e Bibliotekës publike “Marin Barleti” u zhvillua faza finale e konkursit. Ai nisi me 40 minuta vonesë për shkak të mungesës së energjisë elektrike dhe defektit në rrjet. Viti 2024 është shpallur viti i gjuhës shqipe dhe konkursi merr një rëndësi të veçantë.Konkurse të tilla nxisin aftësitë interlokutore të nxënësve dhe në kuadër të bashkëpunimit që ZVA Shkodër ka me teatrin “Migjeni” kjo është një mundësi e mirë për talentet e reja.20 nxënësit e përzgjedhur për këtë fazë finale shprehën ndjenjat dhe emocionet e tyre në ese dhe poezi në dy kategori: lexim dhe shkrim. Ata u shoqëruan gjatë interpretimit të tyre nga një sfond i bukur melodik. Në konkursin “Gjuha jonë sa e mirë…” në rang kombëtar, zhvilluar vitin e kaluar, Shkodra u prezantua në mënyrë dinjitoze duke rrëmbyer çmimin e parë me shkollën “Branko Kadia”.