Konkursi publik për institucionet kulturore/ Në teatrin “Migjeni” kandidatët do të prezantojnë platformën e tyre drejtuese
Data 25 shtator shënon vazhdimin e proçedurës sa i përket vendimarrjes së drejtimit të disa prej institucioneve të kulturës në varësi të Bashkisë Shkodër. Bëhet fjalë për tempullin e kulturës për këtë qytet teatrin “Migjeni”, Bibliotekën “Marin Barleti” si dhe QKF “Kujtim Alija”.
Në institucionin më të rëndësishëm kulturor të qytetit do të zhvillohet konkursi i hapur publik ku çdonjëri nga kandidatët që kanë arritur në këtë fazë të proçedurës do të shpalosë platformën e vet drejtuese. E gjitha kjo pritet të bëhet në prani të publikut dhe mediave që do të jenë të pranishme në teatrin “Migjeni”.
Kandidatët për të drejtuar këtë të fundit janë tre: Arian Çuliqi, Albri Brahusha dhe Sara Smaja. Sa i përket Degës Ekonomike të Kulturës kandidatja e vetme është Ledia Dushi ndërsa për drejtimin e QKF “Kujtim Alija” janë dy kandidatë: Anton Kaftalli dhe Orjeta Kelaj.
Këto vende vakante janë të krijuara pas daljes në pension të drejtueses së teatrit “Migjeni” Rita Gjeka, atij të Drejtorisë Ekonomike të Kulturës Maxhid Cungu dhe mosemërimit të një drejtuesi për QKF që prej ndarjes nga jeta të Mjeshtrit të Madh Kujtim Alija.
Pas përfundimit të kësaj faze të dytë proçedura do të vijojë me fazën e tretë që është ajo e propozimit të dy kandidatëve të përzgjedhur nga dy fazat e mëparshme në Këshillin Bashkiak që do të pasojë votimin dhe më pas emërimin e njërit prej tyre.