Kontingjenti turk mbërrin në Kosovë, zëvendëson njësitin rezervë italian të KFOR
Një kontingjent turk mbërriti të enjten (29 shkurt) në Kosovë, për të zëvendësuar njësitin e trupave italiane në kuadër të misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO-ja.
Siç njoftoi KFOR-i, kontingjenti turk do të vendoset si pjesë e Forcave Rezervë ndërkombëtare në Kosovë.
“Dislokimi i kontingjentit turk pasqyron përkushtimin e palëkundur të KFOR-it për të vazhduar që të ofrojë një mjedis të sigurt për mirëqenien e të gjitha komuniteteve në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme, në përputhje me mandatin e OKB-së, bazuar në Rezolutën e Këshillit të Sigurimit 1244 të vitit 1999,” thuhet në njoftimin e KFOR-it.
Mes të tjerash, Forcat e Armatosura Ndërkombëtare në Kosovë (KFOR) thonë se mbërritja e kontingjentit është një demonstrim tjetër konkret i përkushtimit të vazhdueshëm të NATO-s për sigurinë e përhershme në Kosovë dhe për stabilitet në gjithë Ballkanin Perëndimor.