Konviktet në Tiranë/ Shtohen kërkesat për shkak të qirave të larta
Mbi 80% e kapaciteteve te konvikteve ne Qytetin Studenti janë rezervuar. Ndërsa që në shtator kanë nisur të akomodohen një pjesë e studentëve.
Që prej 4 shtatorit studentët kanë pasur mundësi të rezervojnë akomodimin online përmes portalit qytetistudenti.tirana.al. Kërkesat kanë qenë më të shumta se vitet e tjera edhe për shkak të çmimeve të larta të qerasë së banesave.
Në konviktet e Tiranës akomodimi kushton 4500-5500 lekë/muaj. Vetëm këtë vit në Qytetin Studenti janë shtuar 9 godina të reja me kushte bashkëkohore.
”Shtëpitë me qira në Tiranë janë goxha të shtrenjta siç e dimë dhe si student konviktet ofrojnë një mundësi shumë të mirë dhe të lirë dhe me kushte optimale afër shkollës dhe gjithçka në Tiranë”, thotë një student.
“Kushtet janë shumë të mira në krahasim me çfarë kanë qenë, nga ana tjetër shtëpitë me qira kushtojnë më shumë”, thotë një student tjetër.
Aplikimet për të rezervuar akomodimin në Qytetin Studenti qëndrojnë të hapura gjatë gjithë vitit, edhe në varësi të lëvizjeve që bëjnë studentët gjatë vitit. Ndërkohë kapacitetet do të shtohen vitin e ardhshëm edhe me përfundimin e rikonstruksionit të 5 godinave të reja.