Kopenhagen shtyn Junajtid një hap larg eliminimit
Tri skuadra në luftë për vendin e dytë në Grupin A në Champions League, ku Gallatasaraj e Mançester Junajtid nuk arritën të përfitonin nga ndeshja e Kopenhagenit në Mynih, kundër Bajernit. Një barazim 3-3 në Stamboll që i rri ngushtë sidomos skuadrës angleze, e cila ishte dy herë në epërsi të dy golave dhe në fund nuk arriti të merrte fitoren. Garnacho shënoi golin e parë për Junajtid, në minutën e 11-të me një gjuajtje të fortë brenda zonës. Shtatë minuta më pas ishte Bruno Fernandes që dyfishoi shifrat me një gol të bukur nga jashtë zonës, në trekëndëshin e portës së Muslerës. Zijeç riktheu shpresën te turqit me një goditje të lirë, gjatë së cilës Onana mund të kishte reaguar më mirë. Në pjesën e dytë, MekTominej riktheu epërsinë e dy golave, pas një aksioni nga e djathta. Edhe një herë Zijeç rikthen shpresën me një goditje të lirë, i ndihmuar nga gafa e portierit Onana që fut vetë në portë topi. Turqit marrin zemër dhe nëntë minuta më pas vjen edhe barazimi, me Akturkoglu.
Përfiton Kopenhagen, që barazon në Mynih pa gola, duke ndërprerë serinë e 18 fitoreve radhazi në grup për Bajernin. Danezët u mbrojtën fort përballë Bajernit me shumë ndryshime në formacion dhe tani e kanë vetë në dorë fatin e kualifikimit, pas mbajnë vendin e dytë dhe presin Gallatasarajin, duke iu mjaftuar edhe barazimi nëse Mançester Junajtid nuk fiton me Bajern.