Korporata Shqiptare e Investimeve nënshkruan memorandum mirëkuptimi me Agjencinë Shtetërore të Pronave në Itali
Korporata Shqiptare e Investimeve dhe Agjencia Shtetërore e Pronave në Itali, nisin bashkëpunimin e ngushtë përmes një marrëveshje zyrtare të nënshkruar sot. Në zbatim të misioneve të tyre përkatëse, dy institucionet angazhohen në ndarjen e përvojave e njohurive me qëllim mbështetjen e AIC në adoptimin e modeleve më të mira dhe më efikase organizative si dhe në forcimin e aftësive e kompetencave në zhvillimin dhe rijetëzimin e aseteve dhe pronave publike.
Memorandumi i mirëkuptimit, i nënshkruar sot nga Drejtoresha Ekzekutive e AlC, Elira Kokona me Drejtoreshën e Agjencisë Shtetërore të Pronës, Alessandra dal Verme synon të sigurojë asistencë të kualifikuar për përcaktimin e një modeli qeverisjeje dhe një kuadri ligjor për menaxhimin e pasurive publike të paluajtshme në Shqipëri, duke ndarë procedura dhe projekte inovatore me qëllim nxitjen e zhvillimit dhe rritjes ekonomike.
Përcaktimi i modelit të qeverisjes për pasuritë e paluajtshme, zhvillimi i një programi asistence teknike për proceset dhe zonat e menaxhimit, bashkëpunimi për rritjen e kapaciteteve dhe zhvillimin e strategjive për ndërhyrje janë linjat e veprimit të parashikuara nga marrëveshja e bashkëpunimit institucional.
Marrëveshja, parashikon aktivizimin e marrëveshjeve zbatuese për nisma dhe projekte specifike, mbi bazën e indikacioneve të dhomës së kontrollit e cila do të krijohet brenda një muaji dhe do të ketë funksionet e drejtimit, planifikimit, zhvillimit, koordinimin dhe monitorimin e ecurisë së aktiviteteve të përbashkëta.
Si pjesë e linjave të veprimit të mbuluara nga marrëveshja, AIC dhe Agjencia Shtetërore e Pronës do të ndajnë njohuritë, modelet dhe proceset më efektive, inovative dhe të qëndrueshme të planifikimit strategjik për vlerësimin dhe rigjenerimin e aseteve publike të pasurive të paluajtshme.