Korrjet e lulediellit, Ukraina nuk mund të shesë produktet për shkak të bllokimit të porteve
Është koha e vjeljes së lulediellit në Ukrainë dhe fermeri ukrainas Oleksandr Ryabinin ka mbledhur më shumë se gjysmën e të korrave të tij. Por, me sulmet e përsëritura ruse në portet dhe rrugët e detit të Zi të mbyllura, eksporti është bërë më i vështirë.
“Për momentin ne nuk kemi shitur asnjë kilogram fara luledielli pasi nuk kemi mundësi transporti. Njerëzit kanë frikë të transportojnë naftë. “Askush nuk dëshiron ta rrezikojë “, tha për AFP Ryabinin, duke shpjeguar se anijet kanë frikë të udhëtojnë në portet e Ukrainës për shkak të granatimeve ruse.
Farat mund të ruhen deri në një vit në magazina, tha ai, kohë kjo pas së cilës ato fillojnë të acidifikohen, dhe nuk mund të shiten në tregjet ndërkombëtare.
Pushtimi rus i rajonit të Kherson, ka bërë që këtë vit Ryabinin të mbjellë vetëm 10 mijë hektarë nga 25 mijë që ai kultivonte përpara luftimeve.
Farat e lulediellit dhe vaji i tyre janë eksportet kryesore për Ukrainën, e cila në 2020/2021 prodhoi 31 për qind të të gjithë vajit të lulediellit global, sipas Departamentit të Bujqësisë së Shteteve të Bashkuara.