Korrupsion pasiv, SPAK dërgon për gjykim ish-kryebashkiakun e Kukësit, Safet Gjici
Gjykata e Posaçme Antikorrupsion do e marrë të pandehur ish-kryetarin e Bashkisë Kukës, Safet Gjici, të akuzuar për korrupsion pasiv nga Prokuroria e Posaçme.
SPAK-u njoftoi të shtunën se ish-kryebashkiaku socialist është vërtetuar nga prokurorët që ka premtuar të veprojë institucionalisht në këmbim të favoreve seksuale nga e pandehura tjetër, Alma Kaçi.
Videoja e skandalit seksual u publikua pesë muaj më parë dhe u bë shkak për dorëheqjen e Gjicit. A u filmua fshehtas në zyrën e tij dhe dhjetë ditë më pas u arrestua nga SPAK-u për shpërdorim detyre.
“Në përfundim të hetimeve paraprake të këtij procedimi penal, janë përftuar prova dhe të dhëna nga analizimi i të cilave ka rezultuar se e pandehura Alma Kaçi, është personi që i ka ofruar/dhënë përfitime të parregullta të pandehurit Safet Gjici, me detyrë Kryetar i Bashkisë Kukës dhe se ky i fundit pasi ka përfituar prej saj përfitimin e parregullt, në formën e favorit seksual, ka premtuar/pranuar ta ndihmojë me projektin e saj të mbrojtjes së qenve dhe ta paraqiste më tej në mbledhje të Këshillit Bashkiak të Bashkisë Kukës,” njoftoi SPAK.
Prokuroria e Posaçme ka vendosur t’i drejtohet me kërkesë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për dërgimin e çështjes në gjyq, në ngarkim të të pandehurve:
- Safet Gjici, me detyrë në kohën e kryerjes së veprës penale Kryetar i Bashkisë Kukës, i akuzuar për veprën penale të “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, të parashikuara nga neni 260 i K. Penal, hetuar me masën e sigurisë “arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale (ekzekutuar në datë 24.06.2023).
- Alma Kaçi, e akuzuar për veprën penale të “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, të parashikuar nga neni 245 i K. Penal, hetuar me masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale (ekzekutuar në datë 24.06.2023).