Korrupsioni në Shqipëri – SPAK do të dorëzojë raportin në Parlament deri në fund të muajit mars
Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion do t’i dorëzojë Parlamentit deri në fund të muajit mars raportin vjetor për gjendjen e kriminalitetit dhe korrupsionit në vend.
Raporti që në traditë është i përvitshëm duhet të depozitohet në Komisionin e Ligjeve deri në datën 31 mars, sipas afateve të vendosura nga Kuvendi i Shqipërisë.
Raportimi i drejtuesit të SPAK duhet të përfshijë të dhëna dhe shpjegime për numrin, llojet, shtrirje në territor të formave të ndryshme të kriminalitetit në vend në Republikën e Shqipërisë.
Që nga ngritja e kësaj strukture, ky vit do të jetë i pari kur SPAK ka një strukturë të plotë prokurorësh dhe ka në dorë një sërë çështjesh me sfond korruptiv që kanë shkaktuar bujë në publik.
Raporti do të përfshijë punën e 18 prokurorëve që në mënyrë të pavarur sipas përcaktimeve kushtetuese kanë hetuar dhe po hetojnë politikanë e jo vetëm që kanë patur poste të larta në piramidën shtetërore apo gëzonin lidhje që u mësuan nga hetimet e strukturës së posaçme antikorrpsion.
Prokuroria e Posaçme dhe Njësia e Posaçme Hetimore janë të pavarura nga Prokurori i Përgjithshëm.