Kosova bëhet gati për të udhëtuar në zonën Shengen, nga 1 janari hyn në fuqi liberalizimi i vizave
Nga 1 janari i vitit 2024, të gjithë qytetarët e Kosovës do të kenë mundësi të udhëtojnë lirisht në hapësirën Shengen.
Por për të bërë të mundur udhëtimin në zonën Shengen, qytetarët duhet të jenë të pajisur me pasaportë të Kosovës.
Për këtë arsye, një numër i madh i qytetarëve të Kosovës kanë aplikuar për t’u pajisur me këtë dokument.
Sipas Ministrisë së Brendshme të Kosovës, nga fillimi i vitit 2023, 287 mijë e 965 kosovarë janë pajisur me pasaporta.
“Qytetarë të pajisur me pasaporta për vitin 2023 gjithsej janë 287965”, thuhet në njoftimi e Ministrisë së Brendshme.
Ndërkaq, numri i qytetarëve që janë pajisur me letërnjoftim gjatë 2023-tës ka shkuar 209 mijë e 755. Këtë statistikë e kanë bërë të ditur MPB-ja.
“Qytetarë të pajisur me letërnjoftime për vitin 2023 gjithsej janë 209755”, thuhet në përgjigjen e tyre. Ndërsa, nga muaji janar 2023 e deri më tani, gjithsej 93 mijë e 385 shoferë të rinj u pajisen me patentë shofer. Por, numri i qytetarëve që kanë aplikuar për herën e parë për këtë kategori është mbi 40 mijë. Qytetarë të pajisur me patentë shofer në vitin 2023 gjithsej janë 93385. Qytetarë të pajisur për herë të parë me patentë shofer këtë vit gjithsej janë 40308”, thuhet në përgjigjen e MPB-së.
Mbi 2 mijë qytetarë hoqën dorë nga shtetësia kosovare gjatë këtij viti. Për shkak se në shumicën e shteteve evropiane nuk lejohet dyshtetësia, shumë kosovarë gjatë 2023 hoqën dorë nga shtetësia e Kosovës.
Po sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme “gjatë periudhës janar-nëntor 2023 nga shtetësia e Republikës së Kosovës janë liruar 2,938 persona”.
Nga fillimi i këtij viti e deri më tani, 654 qytetarë kanë marrë shtetësi kosovare.
“Gjatë periudhës janar-nëntor 2023, kanë aplikuar 1,174 persona për fitim të shtetësisë së Republikës së Kosovës dhe prej tyre 654 persona kanë marrë shtetësinë e R. Kosovës”, thuhet tutje në përgjigjen e MPB-së.
Ndryshe, që nga tetori i 2022-tës deri në fund të janarit të 2023-tës, Kosova është përballur me mungesë të materialeve për prodhimin e disa dokumenteve si pasaporta, patentë shoferët e letërnjoftimet.
MPB pati bërë të ditur më 26 janar se gjatë asaj jave ishte pajisur me material bazik për prodhimin e dokumenteve personale.