Kosova dështoi të anëtarësohej në KiE, Krasniqi: Ditë e hidhur, qeveria e braktisur nga aleatët perëndimor
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, pasi Kosova dështoi të anëtarësohet në Këshillin e Evropës tha të premten se sot është një ditë e hidhur për qytetarët e saj.
Sipas tij, në vend që kjo ditë të konkretizonte një sukses, që do të forconte demokracinë, sundimin e ligjit dhe shtetësinë, si dhe për çfarë është punuar gjatë, “sot jemi dëshmitarë të humbjes së mbështetjes nga partnerët tanë ndërkombëtarë”.
“Kjo Qeveri, ky pushtet, pa përjashtuar asnjë nga përgjegjësit e institucioneve shtetërore, dështoi ta finalizojë një punë thuajse të kryer. Mbështetjen e ktheu në injorim. Besimin në zhgënjim. E të ardhmen e sigurt të qytetarëve tanë – e shndërroi në faturë të lartë politike që duhet ta paguajnë po ata”, ka shkruar Krasniqi në rrjetet sociale.
Sipas tij, qasja në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg, aty ku zbatohen parimet e drejtësisë së Kartës Evropiane të Drejtave të Njeriut, e cila edhe ashtu është e inkuadruar brenda Kushtetutës së Republikës së Kosovës, do të ishte përfitim i madh për qytetarët dhe shtetin e Kosovës.
“Pas përjashtimit të Rusisë nga Këshilli i Evropës në mars të vitit 2022, si PDK kemi insistuar menjëherë që Kosova të nis procedurat për t’u bërë pjesë e kësaj organizate, duke e dhënë mbështetjen tonë të pa rezervë në çdo hap të këtij procesi. Fatkeqësisht, sot, dy vite më vonë, kur gjithçka ishte gati pasi kishim siguruar mbështetjen e nevojshme, për shkak të paaftësisë së plotë dhe papërgjegjësisë së skajshme të Qeverisë sonë, edhe kjo mundësi u humb. Akoma më keq, një rast i tillë nuk e dimë se kur do të na paraqitet prapë”, shkruan Krasniqi.
Sipas tij, qytetarët e Kosovës sot kanë çdo të drejtë të ndjehen të indinjuar dhe të pa përfaqësuar, sepse, ata dhe shteti i Kosovës, kanë merituar më shumë dhe më mirë.
“Për PDK-në, rrugëtimi drejt integrimit evropian të shtetit tonë është i pa alternativë. Përkushtimi ynë për drejtësi, demokraci dhe të drejta të plota për çdo qytetar të Kosovës mbetet i palëkundur. Prandaj, shkuarja në zgjedhje të parakohshme, krijimi i një Qeverie të re, kredibile, kompetente dhe të përgjegjshme, që e heqë Kosovën nga izolimi dhe e orienton nga integrimi i sigurt euro-atlantik – është e domosdoshme. Sot, edhe zyrtarisht ky pushtet e ka humbur legjitimitetin. Shteti ka nevojë për qytetarët dhe ata duhet ta thonë fjalën e tyre!”, ka përfunduar Krasniqi.