Kosova dhe SHBA nënshkruajnë marrëveshje kundër manipulimit të informacionit, Osmani: Dëshmi e fuqizimit të raporteve
Presidentja Vjosa Osmani ka pritur në takim këtë të diel (19 maj) nënsekretaren amerikane të Shtetit, Elizabeth Allen. Ato kanë nënshkruar një marrëveshje mirëkuptimit ndërmjet Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Republikës së Kosovës, kundër manipulimit të informacionit nga shtetet e huaja.
Në një konferencë për media, pas nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, presidentja Osmani tha se kjo është dëshmi e fuqizimit të mëtejmë të raporteve të SHBA-ve me Kosovën.
“Kjo marrëveshje që nënshkruam sot me nënsekretarën Allen, është dëshmi e fuqizimit të mëtejmë të raporteve të dy shteteve tona, në mënyrë që të bashkojmë forcat kundër manipulimit të informacioneve nga shtetet e huaja. Kjo marrëveshje në mes të Kosovës dhe ShBA-së, lehtëson shkëmbimin e informacionit, dhe do të nxisë një koordinimin më të madh dhe të vazhdueshëm, të institucioneve, shoqërisë civile dhe të gjitha paleve të interesuara“, theksoi presidentja.
Në anën tjetër nënsekretarja amerikane e Shtetit, Elizabeth Allen tha se ky memorandum i marrëveshjes mes ShBA-së dhe Kosovës detajon ndërtimin e kapaciteteve të komunikimit strategjik përmes diplomacisë digjitale evropiane, shkëmbimit dhe aktiviteteve të tjera të kornizës.
“Ne e pranojmë se qeveritë autoritare manipulojnë informacionin dhe përhapin dezinformata për të ndikuar tek njerëzit në mbarë botën për të mbjellë kaos, ndarje për të ulur besimin në institucione, veçanërisht në institucione demokratike. Siguria dhe stabiliteti në Evropën Jugore dhe Qendrore, veçanërisht në Ballkanin Perëndimor janë prioritetet kryesore që kam theksuar në çdo pjesë të udhëtimit tim në rajon. Korniza jonë e qeverisë amerikane fokusohet në luftën kundër manipulimit të informacionit, dhe ky memorandum i marrëveshjes sot këtu midis SHBA-së dhe Kosovës përfshinë disa pika. Ai detajon ndërtimin e kapaciteteve të komunikimit strategjik përmes diplomacisë digjitale evropiane, shkëmbimit dhe aktiviteteve të tjera të kornizës”, tha sekretarja amerikane e Shtetit.