Kosova drejt anëtarësimit në KiE, Komiteti Politik i Këshillit të Evropës mbledhje urgjente më 27 mars
Delegacioni i përhershëm i Serbisë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës njoftoi se më 27 mars Komiteti Politik i Këshillit të Evropës ka caktuar një takim të jashtëzakonshëm për të votuar opinionin e raportueses Dora Bakojanis për anëtarësimin e Kosovës në KiE.
Kryetarja Biljana Pantiç-Pila theksoi se raportuesja Bakojanis kishte tre kërkesa për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, ndërsa u bë me dije se Kosova ka përmbushur njërën, kthimin e tokës Manastirit të Deçanit.
“Mbase paragjykoj, por Bakojanis dëshiron t’i raportojë Komitetit Politik se ka një ndryshim në sjelljen e Kosovës dhe një nga kushtet është përmbushur. A do t’u thotë anëtarëve se mjafton ky kusht e nuk duhen plotësuar të tjerët? Nuk dua të hamendësoj, por nuk mund të kem besim pas caktimit të takimit të jashtëzakonshëm, pasi më 15 prill kemi mbledhje në Strasburg dhe mund të na njoftonin atë ditë”, tha ajo.
Nëse opinioni i raportueses Bakojanis kalon në Komitetin Politik, atëherë dosja e Kosovës pritet të hidhet për votim në Asamblenë Parlamentare të Këshillit Evropës.
Kosovës i duhen 2/3 e votave që çështja e anëtarësimit në KiE të trajtohet nga Komiteti i Ministrave të vendeve anëtare. Ky i fundit thotë fjalën përfundimtare nëse Kosova do të bëhet apo jo anëtare me të drejta të plota e kësaj organizate.