Kosova drejt përfundimit të censit të popullsisë, por tri komuna kërkojnë të shtyhet
Tri komuna kanë kërkuar të shtyhet regjistrimi i popullsisë, banesave dhe ekonomive familjare të Kosovës teksa vendi këtë të premte (17 maj) ka parashikuar mbylljen e procesit.
Censi i popullsisë nisi më 5 prill dhe qeveria ka argumentuar se është një veprim i rëndësishëm që do i vlejë ndërmarrjes së politikave për dekadën e ardhshme.
Komunat e Dragashit, Drenasit dhe Fushë-Kosovës thonë se kanë hasur sfida gjatë procesit.
“Dragashi ka sfidë me komunitete. Janë disa zona, vendbanime që kanë refuzuar të pranohen. Nuk janë pranuar ata regjistrues të cilët i kemi caktuar dhe tani kemi dërguar të tjerë regjistrues atje,” tha ditë më herët drejtori i Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Avni Kastrati.
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka lajmëruar se deri më 14 maj janë regjistruar mbi 1 milion e 420 mijë qytetarë rezidentë.
“400 mijë janë regjistruar nga diaspora. Pjesa dërmuese jetojnë jashtë, por kanë nënshtetësi të Kosovës,” deklaroi z. Kastrati në fillim të javës. /RTV21, Kallxo