Categories: LajmePolitikë

Kosova feston 16-vjetorin e Pavarësisë, uron politika shqiptare

Kosova feston sot (17 shkurt) 16-vjetorin e Pavarësisë ndërsa nuk kanë munguar edhe urimet nga politika shqiptare.

Presidenti Bajram Begaj ka uruar Pavarësinë e Kosovës. Presidenti Begaj thekson se sot Kosova është histori suksesi në Ballkan në respektimin e të drejtave të njeriut, me kulturën e saj të gjallë dhe energjinë rinore të një populli që sheh përpara.

“Ajo sot është një histori suksesi në Ballkan në respektimin e të drejtave të njeriut, me kulturën e saj të gjallë dhe energjinë rinore të një populli që sheh përpara.

Kosova, shtet i pavarur, është një faktor pozitiv, paqedashës dhe i rëndësishëm për sigurinë në rajonin tonë. Jemi dy shtete, por një komb me një gjuhë e një kulturë. Ne duhet ta shfrytëzojmë këtë mundësi të artë për të treguar se jemi të aftë të ndërtojmë shtete moderne sipas parimeve demokratike, në bashkëpunim e bashkërendim me partnerët tanë, SHBA-në dhe BE-në, Gëzuar, Kosovë!”, shkruan Begaj.

Vazhdimi i dialogut për Begajn është e vetmja rrugë e anëtarësimit të Kosovës dhe Shqipëria do të vijojë e vendosur angazhimin për ta mbështetur.

“I ndërmjetësuar nga BE-ja dhe i mbështetur fuqishëm nga Shtetet e Bashkuara, vazhdimi i dialogut është rruga e vetme drejt paqes, normalizimit të marrëdhënieve, si dhe anëtarësimit të Kosovës në organizata rajonale dhe ndërkombëtare. Dëshiroj t’ju siguroj se Shqipëria do të vijojë e vendosur angazhimin për të mbështetur Kosovën”, thekson në mesazhin e urimit, presidenti Begaj.

Kryeministri Edi Rama ka uruar përmes një fotoje Pavarësinë e Kosovës. “Gëzuar Pavarësinë Kosovë”, shkruan Rama.

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, ka përshëndetur Ditën e Pavarësisë së Kosovës. Nikolla shkruan se Kosova është prioritet kombëtar i Shqipërisë, ndërsa thekson se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është rruga e vetme drejt paqes.

Shpallja e Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, në Kuvendin e Republikës së Kosovës, është një ngjarje historike jo vetëm për Kosovën, por për të gjithë kombin shqiptar.  Liria dhe pavarësia e Kosovës janë rezultat i luftës dhe përpjekjeve të popullit të Kosovës, të mbështetura nga aleatët strategjikë të shqiptarëve, ShBA, BE dhe NATO.

Kosova është një prioritet kombëtar i Shqipërisë. Kuvendi, institucionet e vendit dhe gjithë qytetarët janë në krah të popullit dhe institucioneve të Kosovës në përballimin e sfidave të zhvillimit dhe integrimeve euroatlantike, të cilat arrihen në koordinim dhe me mbështetjen e aleatëve të mëdhenj, ShBA dhe BE.

Shqipëria mbështet integrimin e Kosovës në NATO, anëtarësimin në Këshillin e Europës  dhe në Kartën e Adriatikut, A5. Me mbështetjen e ShBA dhe BE, aleatëve strategjik të kombit shqiptar, e ardhmja evropiane e Kosovës është  e sigurt. Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, i lehtësuar nga BE, është rruga e vetme drejt paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajon.”

Ministri i jashtëm Igli Hasani ka uruar Kosovën për 16-vjetorin e Pavarësisë. Në mesazhin e urimit, ministri shprehet se Shqipëria do të jetë gjithmonë përkrah Kosovës dhe mbështetëse e promovuese e vendit që asaj i takon në strukturat europiane, euroatlantike dhe ndërkombëtare.

Gëzuar Ditën e Pavarësisë, Kosovë! Sot, ne festojmë lirinë e sovranitetin e Kosovës, por edhe përulemi për përpjekjet dhe sakrificat e jashtëzakonshme të vëllezërve e motrave tanë për një Kosovë demokratike, të sigurt e të begatë.

Shqipëria ka qenë, është dhe do të jetë gjithmonë përkrah Kosovës dhe mbështetëse e promovuese e vendit që asaj i takon në strukturat europiane, euroatlantike dhe ndërkombëtare“, uron Hasani.

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, ka uruar Pavarësinë e Kosovës. Basha shprehet me bindje se me vendosmërinë, përkushtimin dhe pjekurinë e lidershipit politik të Kosovës në bashkëpunim dhe me mbështetjen e partnerëve strategjikë, SHBA, BE, Britanisë së Madhe, Kosova do t’ia dalë me sukses për të ndërtuar një shtet të fortë, të zhvilluar dhe të integruar në institucionet ndërkombëtare dhe euroatlantike. Gëzuar Pavarësinë Kosovë!

“17 shkurti i vitit 2008 është padyshim një nga ngjarjet më të rëndësishme për shqiptarët që kurorëzon sakrificën shekullore të gjysmës së kombit për liri dhe pavarësi.

Në këtë ditë të çmuar kujtojmë me nderim dhe mirënjohje të thellë kombëtare komandantin legjendar të UÇK Adem Jasharin, arkitektin e Pavarësisë presidentin Ibrahim Rugova dhe mijëra bij e bija të Kosovës që sakrifikuan jetën e tyre për në altarin e lirisë së Kosovës.

Jemi krenarë për zhvillimin dhe progresin që Kosova ka arritur në këto 16 vite. Ajo sot ka ende sfida përpara, por jam i bindur se me vendosmërinë, përkushtimin dhe pjekurinë e lidershipit politik të Kosovës në bashkëpunim dhe me mbështetjen e partnerëve strategjikë, SHBA, BE, Britanisë së Madhe, do t’ia dalë me sukses për të ndërtuar një shtet të fortë, të zhvilluar dhe të integruar në institucionet ndërkombëtare dhe euroatlantike.

Kjo është një ditë shumë e veçantë edhe për mua personalisht dhe atë pjesë të familjes sime që si mijëra të tjera u dëbuan nga trojet e tyre. Jam i lumtur për çdo ditë që i’a kam dedikuar çështjes së Kosovës dhe falenderoj Zotin që ma ka dhënë mundësinë për ta bërë këtë edhe si një amanet i përcjellë brez pas brezi, sikundër sa të kem forcë dhe mundësi do të jem në krah të Kosovës për të ndihmuar në suksesin e saj. Gëzuar Kosovë e shtrenjtë! Gëzuar shqiptarë kudo në botë!”, shkruan Basha.

RTSH Shkodra

Recent Posts

“105 vite parlamentarizëm” – reflektim mbi demokracinë dhe historinë shqiptare

Kuvendi i Shqipërisë organizoi aktivitetin përkujtimor "Parlamentarizmi, Republika, Demokracia". Ky event madhor mblodhi figura të…

13 hours ago

Lens interesohet për Kevin Dodaj, 19- vjeçari i Vllaznisë drejt hapit të madh në karrierë

Një prej talenteve më të spikatur të Vllaznisë është vënë në radarët e skuadrave të…

14 hours ago

Balaj, goleadori i superligës – Objektivi kryesor i ish-sulmuesit të Kombëtares mbetet fitimi i titullit

Forma e mirë e Balës duket se po ndihmon edhe Vllazninë në garën për fitimin…

14 hours ago

Fyerje në tiktok, në kërkim 35-vjeçari, policia e Lezhës u vu në lëvizje pas kallëzimit të një shtetase

Një 35-vjeçar është shpallur në kërkim nga Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Kibernetike …

14 hours ago

Beci pret ipeshkvinjtë Massafra e Peragine – Kryebashkiaku vlerëson rolin e tyre edhe në kuadër të Bashkisë Shkodër

Kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci, ka pritur në një takim falënderimi imzot Angelo Massafra…

15 hours ago

Vit i ri me halle të vjetra – Qindra familje në Fshatin e Ri probleme me energjinë dhe rrugët

Banorët e Fshatit të Ri, në zonën e Postribës, janë në rrezik për shkak të…

15 hours ago

This website uses cookies.