Kosova feston lirinë / Shteti i dytë shqiptar në Ballkan gëzon 16 vite pavarësi
Kosova feston sot 16 vjetorin e pavarësisë. Më 17 shkurt 2008, në një sallë të mbushur plot, nga e cila ishin drejtuar sytë e miliona shqiptarëve në çdo cep të trojeve shqiptare, por edhe të globit, u shqiptuan fjalë që bartnin ëndrra dhe sakrificë heronjsh ndër shekuj. Në këtë datë të shënuar, Kuvendi e shpalli me 109 vota njëzëri Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik. Komandanti i UÇK-së, Hashim Thaçi, atëherë kryeministër, tha se duke ndjerë rrahjet e zemrave të stërgjyshërve’ bëri një ëndërr realitet duke zhbëre padrejtësinë e madhe që i ishte bërë një kombi. Për vite me radhë qytetarët e Kosovës vuajtën pasojat e spastrimit etnik nga regjimi serb i Sllobodan Millosheviqit, gjë e cila rezultoi më një Luftë Çlirimtare (1997-99). Pas përfundimit të Luftës Çlirimtare të Kosovës u bë edhe vendosja e trupave paqeruajtëse ndërkombëtare në vend dhe me 13 qershor 1999 trupat usharake serbe u larguan. Në nëntor të vitit 2005 nisi zyrtarisht procesi për statusin përfundimtar të Kosovës. Pas konsultimeve gjithëpërfshirëse, më 2 shkurt të vitit 2007 i dërguari special ndërkombëtar për statusin e Kosovës, Martti Ahtisaari, dorëzoi propozimin e tij në Prishtinë dhe Beograd, për pavarësinë e kushtëzuar të Kosovës, hap që çoi drejt krijimit të shtetit te pavarur. Pasi u mbajtën disa raunde bisedimesh, Kosova u shpall e pavarur më 17 shkurt të vitit 2008. Dhe më 22 korrik 2010 Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë me seli në Hagë njoftoi vendimin e saj për Shpalljen e Pavarësisë së Kosovës me të cilën vlerësonte se Deklarata e Kosovës për Pavarësi nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare dhe se autorët e saj ishin duke vepruar në cilësinë e tyre si përfaqësues të popullit të Kosovës.