Kosova fillon për herë të parë vaksinimin e vajzave kundër virusit të papilomës
Nxënëset e moshës 11-vjeçare të shkollës “Qamil Batalli” në Prishtinë u bënë të martën modeli i një fushate vaksinimi kundër kancerit të qafës së mitrës që Kosova e kryen për herë të parë.
Nisjen e vaksinimit kundër virusit papiloma njerëzor (HPV) e bëri të ditur nënkryetarja e kryeqytetit, Jehona Lushaku Sadriu.
“Fillimi i vaksinimit në moshën 11-vjeçare për vajzat është zgjedhur për shkak të efektivitetit të saj të lartë në këtë fazë, duke mbrojtur deri në 99% të grave nga ky rrezik në të ardhmen. Ky lajm pozitiv për vaksinimin është i rëndësishëm për të gjitha vajzat, duke ofruar mbrojtje të duhur për t’i parandaluar këto sëmundje,” deklaroi nënkryetarja Lushaku.
Vaksinimi kundër HPV do të bëhet në të gjitha shkollat e Kryeqytetit Prishtina.
Kanceri i qafës së mitrës është i shërueshëm nëse zbulohet herët, por ai edhe vret qindra mijëra gra çdo vit në botë.
Sipas të dhënave të vitit 2021 nga Klinika e Onkologjisë në Kosovë, përvit trajtohen deri në 120 gra me sëmundjen e kancerit të qafës së mitrës.