Kosova hap korridoret ajrore me Shqipërinë, sjell ulje të kostos dhe kohës së udhëtimit
Kosova ka hapur sot zyrtarisht korridoret ajrore me Shqipërinë, marrëveshje e arritur mes dy vendeve që në 2020. Hapja e korridoreve ajrore me Shqipërinë do të shkurtojë kohën e udhëtimit, kostot si dhe po të ketë përfitime mjedisore e infrastrukturore. Deri më tani fluturimet nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës janë realizuar vetëm përmes korridorit ajror që e lidh Kosovën me Maqedoninë e Veriut.
Gjatë ceremonisë së hapjes në Aeroportin e Prishtinës, ishte edhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti, i cili tha se hapja e korridoreve të reja ajrore për fluturimet komerciale ul koston për udhëtarët.
“Duke shkurtuar trajektoren e udhëtimeve për dhe nga Kosova, koha e udhëtimit ulet prej 8 deri në 12 minuta. Reduktimi i kohës së fluturimit përkthehet në ulje të konsiderueshme të konsumit të karburantit, duke minimizuar kështu emetimin e dyoksidit të karbonit. Përtej përfitimeve mjedisore dhe infrastrukturore, koha e shkurtuar e fluturimeve sjell edhe përfitime për mërgatën tonë, rriten mundësitë për çmime më të përballueshme të biletave dhe për destinacione të reja për dhe nga aeroporti i Prishtinës”, tha Kurti.
Hapja e rrugëve të reja ajrore për Kosovën u arrit pas një pune ekipore 15-mujore me autoritetet e Kosovës, Shqipërisë, por edhe me ndihmën e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.