Kosova marrëveshje me USAID për fuqizimin e administratës publike
Kosova ka arritur marrëveshjen 35 milionë dollarë me Agjencinë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) për objektivat zhvillimore.
Marrëveshja e Grantit për Zhvillim e nënshkruar nga Presidentja Vjosa Osmani dhe Drejtoresha e USAID, Kerry Monaghan Hogler.
Në fjalën e saj në një konferencën e përbashkët për media me ambasadorin amerikan në Kosovë, Xhefri (Jeffrey) Hovenier, Presidentja Osmani deklaroi se marrëveshja e arritur sot (15 shtator) do të ndihmojë në fuqizimin e administratës shtetërore dhe sigurimin e shërbimeve më të mira për qytetarët e Kosovës. Po ashtu, Osmani theksoi se kjo marrëveshje me USAID do të kontribuojë në uljen e korrupsionit dhe rritjen e efikasitetit të reagimit ndaj nevojave të qytetarëve.
“Marrëveshja do kontribuojë në plotësimin e objektivave zhvillimore të vendit dhe si rezultat, do kemi në dispozicion gati 35 milionë dollarë. Një prej objektivave parësore të kësaj marrëveshje, është që të sigurojë shërbime më të mira për qytetarët, si dhe të fuqizojë administratën publike. Kjo marrëveshje do të kontribuojë në reduktimin e korrupsionit dhe do të hapë rrugën për një të ardhme më të qëndrueshme për Kosovën”, u shpreh Osmani.
Ndërsa ambasadori Hovenier në fjalën e tij, deklaroi se kjo marrëveshje është një konfirmim i partneritetit afatgjatë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës me Kosovën.