Kosova merr garanci nga Presidenti Bajden për “mbështetje të vazhdueshme”
Kosova ka marrë garanci nga presidenti amerikan, Xho Bajden (o. Joe Biden), për mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së ndaj Kosovës.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, u takua me presidentin Bajden në Nju-Jork në vazhdën e Asamblesë së Kombeve të Bashkuara.
Ajo u prit zyrtarisht nga presidenti i Shteteve të Bashkuara.
“Në një bashkëbisedim të ngrohtë me presidentin Biden, Presidentja Osmani ka theksuar se në themelet e lirisë dhe shtetësisë së Kosovës është aleanca e përhershme me SHBA-të.
Rrjedhimisht, në këtë kontekst, ka përsëritur qëndrimin se partneriteti me Amerikën është ekzistencial, i pacenueshëm dhe i pazëvendësueshëm. Presidentja po ashtu pati mundësinë ta njoftojë Presidentin Bajden për zhvillimet e fundit dhe sfidat me të cilat po ballafaqohet Kosova.
Pas këtij bashkëbisedimi, Presidentja Osmani theksoi se ka marrë garanci të fuqishme nga Presidenti Bajden për mbështetjen e vazhdueshme amerikane ndaj Kosovës. Presidentja Osmani ka falënderuar Presidentin Bajden për ndihmën, të cilën në vazhdimësi e japin SHBA-të për Kosovën në rrugën e saj drejt stabilitetit dhe zhvillimit,” njoftoi presidenca e Kosovës.
Presidentja Osmani u takua ditën edhe me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë–Serbi, Miroslav Lajçak.
Lajçaku e quajti të dobishme bisedën me Osmanin.
“Pata një bisedë të detajuar dhe të dobishme me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, mbi gjendjen e dialogut dhe rrugën përpara në avancimin e zbatimit të marrëveshjes në rrugën e normalizimit. Ramë dakord të vazhdojmë diskutimin tonë,” shkroi Lajçaku në rrjetin “X” pas takimit.