Kosova pa viza, qytetarët në Prizren: Lajm i shumëpritur
Prej 1 janarit edhe qytetarët e Kosovës lëvizin të lirë në 27 vende të zonës Shengen. Një ekip xhirimi nga RTSH Kukësi ishte në Prizren dhe bisedoi me qytetarë atje.
Ata thonë se është prej ngjarjeve më të rëndësishme, e të shumëpritura. Tashmë janë të lirë të vizitojnë kur të duan fëmijët apo familjarë të tjerë, që prej vitesh punojnë në këto shtete.
“Është lajm shumë i mirëpritur nga ne, kjo është mundësi e mirë për të vizituar Europën, për të takuar familjarë sepse kemi shumë familjarë që jetojnë jashtë”, tha një qytetar.
“Dalje nga izolimi për njerëz që kanë qenë disa herë edhe të burgosur, kemi pritur shumë, por është bërë pak”, u shpreh një tjetër.
Emigrantët e ardhur për festat e fundvitit shprehen që me liberalizimin e vizave do të mund të udhëtojnë bashkë me prindërit e tyre.
“Momentalisht jetoj dhe punoj në Slloveni, ndërsa të shtunë do të iki bashkë me prindërit”, theksoi një qytetar.
Një mundësi e mirë për të dalë dhe për të parë”, tha një qytetar.
Tashmë, qytetarët e Kosovës të cilët kanë një pasaportë biometrike mund të qëndrojnë për 3 muaj në një nga 27 shtete anëtare të zonës Shengen.