Kosova përfshihet nga reshjet e dëborës, vështirësi në qarkullimin rrugor
Reshjet e dendura të dëborës që kanë përfshirë Kosovën kanë vështirësuar qarkullimin e automjeteve në rrugën Prishtinë-Pejë, si dhe në disa rrugë rajonale.
Sipas agjencisë së lajmeve Kosovapress, vështirësi në qarkullimin rrugor janë raportuar edhe në disa rrugë që menaxhohen nga komunat e Kosovës. Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar ndërkohë ka bërë të ditur se shumica e rrugëve që të çojnë në pikat e kalimit kufitar janë të kalueshme, ndërsa autostrada Prishtinë-Mutivodë është e kalueshme, por me vështirësi.
Dëbora ka mbuluar edhe kryeqytetin Prishtinë, ku ekipet e komunës janë angazhuar për mirëmbajtjen e rrugëve.
Instituti Hidrometeorologjik ndërkohë ka bërë të ditur se ndërsa e shtuna karakterizohet nga reshjet e dëborës, të dielën pritet mot me diell dhe vranësira të pjesshme, ndërsa temperaturat pritet të zbresin ndjeshëm.