Kosova pranon asociacionin
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca tha se propozimi i Bashkimit Evropian, i cilësuar si propozim modern europian për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, duket se është në përputhje të plotë me Kushtetutën e vendit.
Gjatë një deklarate në Prishtinë, Konjufca theksoi se për Asociacionin nuk duhet të negociohet dhe nuk duhet të jetë temë kryesore e negociatave, pasi për të është arritur më herët marrëveshje.
“Nuk e kam shqyrtuar me kujdes, vetëm një shikim sipërfaqësor, por propozimi për Asociacionin është plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Kosovës” tha Konjufca.
“Gjatë takimeve në Kosovë dhe Serbi pesë diplomatët nga BE, Shtetet e Bashkuara, Franca, Italia dhe Gjermania u kanë paraqitur palëve një “propozim modern evropian për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe” tha më herët zëdhënësi i BE-së, Piter Stano.
Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin në vitin 2013, por Gjykata Kushtetuese e Kosovës në vitin 2015 gjeti se Marrëveshja nuk ishte në harmoni të plotë me Kushtetutën e vendit.
Prishtina deri tani ka refuzuar të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, duke shprehur frikën se mund të cenojë funksionalitetin e shtetit, ndërsa Serbia këmbëngul për themelimin e tij.