Kosova reduktoi forcat në veri/ Reagon KFOR-i: Vlerësimi i sigurisë është bërë p…
Kosova reduktoi forcat në veri/ Reagon KFOR-i: Vlerësimi i sigurisë është bërë pa miratimin tonë
Misioni i Aleancës së Atlantikut të Veriut në Kosovë (KFOR) ka reaguar pas vendimit të qeverisë së Albin Kurtit për të reduktuar forcat policore në veri të vendit.
Në reagimin për mediat, KFOR thekson se reduktimi i forcave policore të Kosovës në veri është bërë pa miratimin e misionit të NATO-s dhe të EULEX-it.
“KFOR-i mirëpret hapat për të ulur tensionet në Kosovë, duke përfshirë reduktimin e pranisë së Policisë së Kosovës pranë ndërtesave komunale. Për të sqaruar, vlerësimi i fundit i situatës së sigurisë në ndërtesat komunale dhe përreth tyre është bërë vetëm nga policia e Kosovës dhe EULEX-i, pa miratimin e KFOR-it”, thuhet në reagimin e KFOR-it për mediat.
Ndërkaq, një ditë më parë, policia e Kosovës bëri të ditur se ka nisur zvogëlimin me 25% të stafit që kishte vendosur përreth 4 objekteve komunale në veri të Kosovës.
Policia e Kosovës, e cila argumenton se ky hap është në vazhdën e realizmit të detyrave dhe autorizimeve të saja kushtetuese dhe ligjore në interes të sigurisë publike në vend.
“Me këtë rast është mbajtur takimi punues mes Policisë së Kosovës, EULEX dhe KFOR, për vlerësim të situatës së sigurisë, në dhe përreth ndërtesave komunale të komunave veriore.
Sipas vlerësimit të përbashkët, nga Policia e Kosovës, EULEX dhe KFOR, situata e sigurisë në dhe rreth objekteve të komunave veriore vlerësohet se është e mirë. Në kuptim të këtij konstatimi të përbashkët, nga nesër fillon zvogëlimi i pjesëtarëve të Policisë së Kosovës për 25%, në dhe përreth objekteve komunale në veri.”- njofton policia e Kosovës.