Kosova rrëmben Kupën e Pavarësisë 2023
Veprimtaria mbarëkombëtare e volejbollit për femra e meshkuj, Kupa e Pavarsisë, e cila këtë fundjavë është përmbyllur në Prishtinë, ka kurorëzuar si fituese dy skuadrat vendase, Dritën e Gjilanit dhe Pejën. Kjo veprimtari vuri përballë 4 skuadrat më të mira të sezonit të shkuar nga Shqipëria dhe Kosova dhe u zhvillua përgjatë 3 ditëve të fundjavës, duke nisur nga gjysmëfinale dhe duke kulmuar të dielën me finalet, të cilat erdhën drejtpërdrejt në Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar, në kanalin RTSH Sport.
Tek femra, Drita e Gjilanit, e drejtuar nga trajneri Lorik Iljazi, ka bërë të vetin trofeun pasi mposhti në finale Skënderbeun në 3 sete, 25-21, 25-18 dhe 25-16. Ndërkaq, tek meshkujt përballë njëra-tjetrës në duelin për trofeun kanë qenë Peja dhe Partizani. Ndryshe nga dueli i femrave, që është mbizotëruar nga gjilanaset, sfida e meshkujve ka qenë edhe më e luftuar dhe ka qenë ekipi vendas që e ka fituar setin e parë, 25-22. Seti i dytë ka qenë edhe më i luftuari dhe ka zgjatur edhe më tepër, teksa në pikët shtesë është fituar nga Partizani me shifrat 34-32.
Megjithatë, Peja e udhëhequr nga veterani Gazmend Husaj, e ka marrë setin e 3-të, me shifrat 25-22 duke u rikthyer kështu sërish në epërsi. Dhe skuadra vendase ka vijuar ta fitojë edhe setin e 3-të, 25-23, dhe bashkë me të gjithë takimin 3-1 me sete, duke bërë të vetën gjithashtu edhe trofeun e Kupës së Pavarsisë 2023 në volejboll për meshkuj.