Kosova, seancë solemne për Pavarësinë, Osmani: Republika jonë po konsolidohet
Ka nisur me himnin shtetëror seanca solemne e Kuvendit të Kosovës, këtë 17 shkurt, në Ditën e Pavarësisë së saj.
Presidentja Vjosa Osmani teksa e konsideroi arritjen më të madhe historike këtë datë të shënuar, u shpreh se Republika e Kosovës po konsolidohet çdo ditë duke i nderuar qytetarët dhe emrin e vet në botë.
“Kjo datë është reflektim i idealit tonë, i gjyshërve e stërgjyshërve tanë, i brezave të tërë ndër shekuj për të ndërtuar shtetin e lirë e të pavarur, në të cilin liritë e të drejtat njerëzore, paqja e harmonia janë thelbësore për suksesin tonë. Republika jonë po konsolidohet çdo ditë, duke i nderuar qytetarët e vet dhe emrin e vet në botë”, ka theksuar Osmani.
Në fjalën e tij, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka falenderuar 117 shtetet që kanë njohur pavarësinë e Kosovës, veçanërisht Shqipërinë.
Kurti shpreh vendosshmërinë e shtetit të tij drejt anëtarësimin në NATO dhe Bashkimin Europian
“Kosova mbetet e përkushtuar për procesin e Berlinit dhe do të vazhdojë punën për anëtarësimin në NATO dhe Bashkimin Europian. Bashkëpunimi me Shqipërinë do të shtohet dhe qeveria jonë mbetet e zotuar për të zbatuar marrëveshjet mes dy vendeve fqinje.
Në ditëlindjen e 16-të falenderojmë SHBA, Gjermaninë, Francën, Turqinë, 117 shtetet anembanë globit njohëse të pavarësisë. Në veçanti falenderojmë Shqipërinë, popullin e saj dhe strukturat politike”, u shpreh Kurti.
Kosova feston sot 16-vjetorin e Pavarësisë. Më 17 shkurt 2008, në një sallë të mbushur plot, nga e cila ishin drejtuar sytë e miliona shqiptarëve në çdo cep të trojeve shqiptare por edhe të globit, u shqiptuan fjalë që bartnin ëndrra dhe sakrifice heronjsh nder shekuj.
Në këtë datë të shënuar, Kuvendi e shpalli me 109 vota njëzëri Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik. Komandanti i UÇK-së Hashim Thaçi, atëherë kryeministër tha se duke ndjerë rrahjet e zemrave të stërgjyshërve’ bëri një ëndërr realitet duke zhbëre padrejtësinë e madhe që i ishte bërë një kombi.
Për vite me radhë qytetarët e Kosovës vuajtën pasojat e spastrimit etnik nga regjimi serb i Sllobodan Millosheviqit, gjë e cila rezultoi më një Luftë Çlirimtare (1997-99). Pas përfundimit të Luftës Çlirimtare të Kosovës u bë edhe vendosja e trupave paqeruajtëse ndërkombëtare në vend dhe me 13 qershor 1999 trupat usharake serbe u larguan.
Në nëntor të vitit 2005 nisi zyrtarisht procesi për statusin përfundimtar të Kosovës. Pas konsultimeve gjithëpërfshirëse, më 2 shkurt të vitit 2007 i dërguari special ndërkombëtar për statusin e Kosovës, Martti Ahtisaari, dorëzoi propozimin e tij në Prishtinë dhe Beograd, për pavarësinë e kushtëzuar të Kosovës, hap që çoi drejt krijimit të shtetit te pavarur.
Pasi u mbajtën disa raunde bisedimesh, Kosova u shpall e pavarur më 17 shkurt të vitit 2008.
Dhe më 22 korrik 2010 Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë me seli në Hagë njoftoi vendimin e saj për Shpalljen e Pavarësisë së Kosovës me të cilën vlerësonte se Deklarata e Kosovës për Pavarësi nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare dhe se autorët e saj ishin duke vepruar në cilësinë e tyre si përfaqësues të popullit të Kosovës.