Kosovë, ambasadori Petrit Malaj takon kryeministrin Albin Kurti
Zbatimi i marrëveshjeve mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë forcojnë marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve dhe i sjellë qytetarët më pranë njëri-tjetrit. Kështu deklaroi kryeministri Kurti në takim me ambasadorin e ri të Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj.
Kryeministri tha se marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet Republikës së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, kanë sjellë nënshkrimin e gjithsejtë 184 marrëveshjeve, protokolleve e memorandumeve.
“Ato kanë ndikim të drejtpërdrejtë e pozitiv në jetën e tyre, të bizneseve e më gjerë,” deklaroi Kurti duke e përgëzuar ambasadorin Malaj për detyrën e re.
Kurti vlerësoi marrëdhëniet vëllazërore mes dy shteteve, duke theksuar rëndësinë e thellimit dhe avancimit të bashkëpunimit.
Ndërsa ambasadori Malaj deklaroi për mediat se në takim shprehu përkushtimin e tij për të kontribuar maksimalisht për avancimin e marrëdhenieve tona të shkelqyera vëllazërore, strategjike, gjithëpërfshirëse e stabilizuese për rajonin dhe të orientuara drejt perspektivës së përbashkët euroatlantike.
“Në takim u dakordësuam se sinergjitë e dy vendeve tona, bëjnë që kombi shqiptar të jetë më shumë se Shqiperia e Kosova sëbashku, duke i faktorizuar shqiptarët në rajon,” deklaroi Malaj.