Kosovë, protestojnë njësitë speciale, por ministri, Sveçla thotë se policia gëzon “mbështetje të veçantë”
Pasi dy njësi speciale të policisë së Kosovës protestuan para ndërtesës së Qeverisë duke kërkuar rritje të shtesave për rrezikshmërinë në punë, Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se Policia e Kosovës gëzon “mbështetje dhe fokus të veçantë”. “Si Ministri e Punëve të Brendshme, nga 9 agjenci ekzekutive, Policia e Kosovës ka pasur mbështetje dhe fokus të veçantë me qëllim të mobilizimit në luftimin e krimit, kontrabandës, mbrojtjen e integritetit territorial dhe sovranitetit. Nga vetë Policia e Kosovës, Njësitë Speciale kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë mbështetjen më të madhe si në aspektin financiar ashtu edhe me ngritjen në strukturë”, tha ai.
Ministri shtoi se të ardhurat mesatare mujore gjatë këtij viti të zyrtarëve që protestuan të mërkurën “janë mbi 2.200 euro”, por nuk dha ndonjë hollësi shtesë. Javën e kaluar, Qeveria e Kosovës njoftoi për shtesat për rrezikshmërinë në punë, të ndarë në shtatë kategori. Për njësitë elitare, përkatësisht për Njësinë Speciale Intervenuese, Njësinë për Ndërhyrje të Shpejtë dhe Njësinë për Mbrojtje të Afërt, shtesat do të jenë prej 150 euro mbi pagën bazë.