Kosovë-Serbi/ “Mos të përsëriten gabimet e së kaluarës”, letra për politikanët e…
Kosovë-Serbi/ “Mos të përsëriten gabimet e së kaluarës”, letra për politikanët e SHBA, BE dhe Britanisë
Kryetarja e Komisionit për Punë të Jashtme në Parlamentin e Britanisë së Madhe, Alicia Kearns, ka bërë publike letrën e nënshkruar nga 10 kryetarë të Komisioneve parlamentare për Punë të Jashtme dhe 56 deputetë, ku u bëjnë thirrje Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Evropian, si dhe Mbretërisë së Bashkuar që të jenë më kritikë ndaj presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në lidhje me situatën në Kosovë.
“10 kryetarë të komisioneve për punë të jashtme dhe 56 deputetë i kanë bërë thirrje SHBA-së, BE-së dhe Britanisë së Madhe që të ndryshojnë qasjen tonë ndaj Kosovës dhe Serbisë”, ka shkruar ajo në Twitter.
Në letrën dërguar sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, shefit të diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, dhe sekretarit të Jashtëm britanik, James Cleverly, bëhet thirrje për mos përsëritjen e gabimeve të së shkuarës me Ballkanin.
10 kryetarët e komisioneve, si dhe 56 deputetët, kërkuan balancë dhe proporcionalitet në bashkëveprimin Kosovë-Serbi.
“Kosova është përballur me pasoja të mëdha pas përpjekjeve të kryetarëve që të hyjnë në zyrat e tyre në veri të Kosovës. Kosova duhet të koordinohet me KFOR-in në të ardhmen për të parandaluar përshkallëzimet. Por, mungesa e presionit ndaj Serbisë pas ndalimit arbitrar të tre policëve të Kosovës dhe dështimi për t’i mbajtur përgjegjës ata që kryen sulme ndaj KFOR-it vënë në pah mungesën e barazisë në adresimin e tensioneve. Qasja aktuale nuk po funksionon. Ne kërkojmë nga komuniteti ndërkombëtar që të mësojë nga e kaluara jonë dhe të sigurohemi që ne nuk do të miratojmë politika për Ballkanin që anojnë nga Beogradi. Ne po ashtu u kërkojmë që të shqyrtoni mundësinë e miratimit të një politike të diplomacisë parandaluese për të shmangur përshkallëzim të mëtejme të situatës së sigurisë dhe asaj politike në veri të Kosovës, me balancë dhe proporcionalitet në çdo deklaratë dhe çdo ndëshkim apo sanksion që ndërmerret, dhe që ata të cilët respektojnë sundimin e ligjit dhe demokracinë të mos ndëshkohen”, thuhet në letër.