Kosovë/ Turqia merr udhëheqjen e misionit KFOR me rreth 4.500 ushtarë
Udhëheqja e trupës paqeruajtëse të KFOR-it në Kosovë do i besohet nga sot Turqisë dhe gjeneralmajorit të saj, Ozkan Ullutash.
Ullutashi është i pari turk dhe i 28-ti komandant që zë vendin kryesor të misionit të krijuar më 1999, kur Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ndërhyri për të ndalur spastrimin nga Jugosllavia.
Selinë e KFOR-it në Prishtinë e ka drejtuar deri tani kolegu i tij italian, gjeneralmajori Anxhelo Mikele Ristuça (o. Angelo Michele Ristuccia).
KFOR-i numëron rreth 4.500 ushtarë, nga të cilët rreth 600 trupa nga Turqia.
Gjeneralmajori Ullutash ka shërbyer për disa vite si komandant i Forcës së Reagimit të Shpejtë të NATO-s në Turqi dhe ka njohuri për mjedisin e sigurisë në Azi dhe Paqësor.
Nga ana tjetër, në konfliktin e herëpashershëm Kosovë–Serbi, vendi i tij, Turqia ka ruajtur marrëdhëniet me të dyja palët, duke zhvilluar lidhjet tregtare me Serbinë dhe duke furnizuar me drone luftarake Kosovën.
Shqipëria dhe SHBA mbështesin KFOR-in
Vrasja e oficerit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, dhe trazirat e 24 Shtatorit në veri të vendit ishte një nga temat e diskutimit mes ambasadorit shqiptar në NATO, Ilir Gjoni, dhe homologes amerikane, Xhulianë Smith (o. Julianne).
Ambasadorja Smith vlerësoi kontributin e Shqipërisë brenda aleancës ushtarake.
“Kontributet e çmuara të Shqipërisë si aleate e NATO-s e mbajnë të fortë Aleancën, të përgatitur dhe të vendosur. Prita ambasadorin e ri të Shqipërisë në NATO, Ilir Gjoni. Me Shqipërinë tonë Aleate do të vazhdojmë të mbështesim KFOR-in dhe apelojmë që Beogradi dhe Prishtina të angazhohen në dialogun e mundësuar nga BE-ja, si bazë për siguri afatgjatë në Kosovë dhe për stabilitet në rajon,” njoftoi ambasadorja Smith në rrjetin social “X”.