Kosovës nuk i lejohen më hapa fals
Trajneri i përfaqësueses së Kosovës, Primozh Gliha ka mbajtur një konferencë për media ku ka folur para sfidës kundër Andorrës, e vlefshme për Eliminatoret e Kampionatit Evropian të vitit të ardhshëm. Para trajnerit slloven, foli menaxheri i kombëtares, Bajram Shala i cili zbuloi se anësori Edon Zhegrova është në dyshim për këtë ndeshjes, ndërsa do të mungojnë edhe Beka, Vladi dhe Paqarada. Ndërsa trajneri Primoz Gliha theksoi se kjo ndeshje, por edhe ato të radhës do të shërbejnë më shumë për lojtarët që janë ftuar nga liga e Kosovës.
“Për mua është e rëndësishme që futbollistët e ftuar nga liga e Kosovës, por edhe ata që nuk kanë pasur rastin shumë deri më tani, të kenë paraqitje të mirë në aspektin individual pasi kjo është shumë e rëndësishme për të ardhmen e tyre”, tha Gliha.
Trajneri slloven ka thënë se kjo është një mundësi e mirë që të testohen lojtarët e rinj, teksa ka ftuar 3 re futbollistë të kampionatit të Kosovës, Lumbardh Dellovën e Qëndrim Zybën të Ballkanit, si dhe Ilir Krasniqin e Llapit.
“Kemi shumë mungesa dhe kjo situatë mbase është e mirë duke pasur parasysh se nuk luajmë për kualifikim dhe kjo na jep mundësinë që të testojmë disa lojtarë të rinj që të jenë pjesë e ekipit. Pra, të dëshmojnë veten edhe këta lojtarë që janë ftuar pasi është mundësi e mirë për të parë se a janë të gatshëm për t’u paraqitur në ndeshjet e këtij nivelit, pasi Përfaqësuesja është niveli më i lartë”, u shpreh komisari teknik.
Sa i përket ndeshjes kundër Izraelit, menaxheri Bajram Shala ka thënë se janë duke e pritur vendimin e UEFA-s se kur mund zhvillohet kjo ndeshje, duke patur parasysh gjendjen atje.