KQZ-ja pezullon dy parti politike në Kosovë, ja arsyeja
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës pezulloi Partinë Socialdemokrate (PSD) dhe Lëvizjen për Bashkëveprim, pasi ato nuk i mbajtën kuvendet e tyre zgjedhore sipas afatit ligjor.
Vendimi është marrë të mërkurën (27 dhjetor) në mbledhjen e KQZ-së ku u bë e ditur se të dy partitë kanë nga 45 ditë afat shtesë për të kryer obligimet ligjore.
KQZ shqyrtoi dhe miratoi ndaras rekomandimet e Zyrës për Regjistrimin, Certifikimin dhe Kontrollin Financiar të Partive Politike (ZRCKFPP) për pezullimin e dy partive politike, Lëvizjes për Bashkëveprim dhe Partisë Socialdemokrate, të cilat nuk kanë mbajtur kuvendet e tyre zgjedhore sipas afatit ligjor.
Afati i fundit për mbajtjen e kuvendit/konventës zgjedhore për partinë politike Lëvizja për Bashkëveprim ka qenë data 8 dhjetor 2023, ndërsa për partinë politike Partia Socialdemokrate ky afat ka qenë më 15 dhjetor 2023.
Sipas vendimit të KQZ-së, këto dy parti politike obligohen që të mbajnë kuvendin e tyre zgjedhor në një afat shtesë prej 45 ditësh dhe nëse kjo nuk arrihet, atëherë sipas Rregullores për regjistrimin dhe funksionimin e partive politike, KQZ merr vendim për çregjistrim nga regjistri i partive politike në Kosovë.