Krahasoi luftën në Gaza me Holokaustin, Izraeli shpall “person të padëshiruar” presidentin e Brazilit
Izraeli e ka shpallur “person të padëshiruar” presidentin e Brazilit, Luiz Injacio Lula da Silva për komentet e tij në të cilat ai e akuzoi këtë vend se po kryen gjenocid në Gaza, ndërsa luftën e krahasoi me veprimet e Hitlerit dhe Holokaustin.
Pasi thirri dhe qortoi ambasadorin e Brazilit në Tel Aviv, ministri i jashtëm i Izraelit, Israel Katz lëshoi një deklaratë ku thuhej se deklaratat e presidentit brazilian ishin një sulm serioz antisemitik. “Presidenti Lula da Silva është person “non grata” në Izrael derisa të kërkojë falje dhe ta tërheqë ato deklarata.”- u shpreh Katz.
Javën e kaluar, presidenti i Brazilit u shpreh se ajo që po ndodh në Rripin e Gazës ndaj popullit palestinez nuk është parë në asnjë moment tjetër në histori.
“Ajo që po ndodh në Rripin e Gazës ka ndodhur vetëm kur Hitleri vendosi të vriste hebrenjtë. Ajo nuk është luftë, por gjenocid. Nuk janë luftime mes ushtarëve, por është luftë mes një ushtrie të mirë përgatitur dhe grave e fëmijëve atje”, ishte shprehur Lula Da Silva.
Deklaratën e këtij të fundit, kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu e cilësoi të turpshme dhe alarmante. Ndërkohë të hënën, Ministria e Shëndetësisë në Gaza raportoi se mbi 29 mijë palestinezë janë vrarë dhe më shumë se 69 mijë të tjerë janë plagosur nga nisja e operacionit ushtarak të Izraelit në Rripin e Gazës më 7 tetor të vitit të kaluar.