Krasniqi: Edukimi mediatik, tejet i rëndësishëm. Prindërit duhet të monitorojnë fëmijët
Kryetarja e Autoritetit të Mediave Audiovizive, Armela Krasniqi ka deklaruar se fushata për edukimin mediatik është tejet e rëndësishme për të gjithë popullatën. Ajo deklaroi nga studio e RTSH 24 se fushata e AMA ka për qëllim informimin, edukimindhe aftësinë që duhet të kenë prindërit për njohjen me platformat, mundësitë e rreziqet që ato ofrojnë qoftë për ta ashtu edhe për gjeneratën e re.
“Edukimi mediatik është i rëndësishëm për të gjithë popullatën. Menduam që fillimisht t’i adresoheshim prindërve, pra që nga gjeneza. Që nga prindërit që kanë fëmijë të grupmoshës 5-6 vjeç, duke parë rëndësinë e informimit, njohjes, aftësive që duhet të kenë prindërit që po rrisin këtë gjeneratë të re për t’u njohur me mundësi që vetë platformat ofrojnë.
Në të gjithë këtë fushatë, qëllimi është të informojë dhe edukojë se si të kenë një analizë kritike ndaj gjithçka që marrin si pjesë të informacionit të përditshëm”, tha Krasniqi.
Kryetarja e AMA deklaroi se prindërit duhet patjetër të monitorojnë fëmijët e tyre. Kjo pasi sikurse theksoi Krasniqi, fëmijët përballen me një sërë problematikash sikurse janë: bullizmi kibernetik, siguria kibernetike, vjedhja e identitetit, lojërat që luajnë, bisedat, etj,.
“Problematikat me të cilat përballen fëmijët: bullizmi kibernetik, siguria kibernetike, vjedhja e identitetit, lojërat që luajnë, me kë bisedojnë fëmijët online. Të gjithë këtyre përbërësve iu jemi drejtuar fëmijëve. Duhet t’u kontrollojnë dhe kufizojnë kohën fëmijëve.
Iu kemi kërkuar prindërve të monitorojnë procesin, të kontrollojnë fëmijën edhe te një lojë online, nëse ka një mënyrë bisedore të dinë me kë flet fëmija e tyre.
Platformat shumë nga metodat e kontrollit i lejojnë. Nëse flasim për TikTok është shumë e hapur në moshat e vogla, por vetë platforma të thotë që duhet të jesh mbi 13 vjeç.
Mund të të vijë në emailin tënd e gjithë përmbajtja që fëmija sheh. Duhet monitorim nga ana e prindit”, tha ajo.