Kredi me interes zero për administratën, zbardhen kriteret përcaktuese në renditjen e aplikuesve
Në Shqipëri treqind punonjës të Administratës Publike do të përfitojnë kredi me 0 % interes për blerjen e një banese.
Vendimi, për miratimin e kuotave të përgjithshme të kredive të reja për kategoritë prioritare të të punësuarve përfitues në administratën publike, është publikuar në Fletoren Zyrtare.
Ndërkohë janë zbardhur kriteret mbi bazën e të cilave do të vlerësohen punonjësit e administratës që aplikojnë për të përfituar kredi me interes zero nga programi mbështetës i qeverisë.
Sipas këtij vendimi, mosha, përvoja e punës në administratë dhe kategoria e pagës do të jenë përcaktuese në renditjen e aplikuesve. Përparësi ju jepet atyre që janë më të rinj, jo më shumë se 40 vjeç, mbi një ose dy vite përvojë pune si dhe kategoritë e ulëta të pagave.
Përfitues do jenë arsimtarë, mjekë, infermierë, policë, ushtarakë, punonjës të gardës, veterinerë, artistë e të tjerë.
Në total janë 300 kuota ose kredi me zero interes, 90 prej të cilave do të jepen për Ministrinë e Brendshme, 90 për Ministrinë e Mbrojtjes, 30 për Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, 30 për Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, 45 për Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe 15 për Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.
Kushtet e strehimit, kushtet familjare dhe ato ekonomike janë ato që vlerësohen për aplikantët.
Lidhur me kushtet ekonomike, kategoritë më të ulëta pikëzohen më shumë se të tjerat.
I punësuari në administratën publike që plotëson kriteret e përgjithshme dhe ato të veçanta të përmendura më lart, fillimisht duhet që të paraqesë kërkesën për kredi të lehtësuar pranë institucionit ku është i punësuar.
Do të jetë titullari i institucionit të administratës publike harton listën me të punësuarit e institucionit që plotësojnë kriteret për të përfituar nga ky program i strehimit social, të cilën ia përcjell për miratim ministrit përgjegjës që mbulon institucionin ose Kryeministrisë, brenda kuotave të miratuara në total për këtë program.
Aplikimet do të kryen online përmes platformës “e-Albania”.