Kremlini mohon bisedën Tramp-Putin, zëdhënësi Peskov: “Trillim i pastër”
Këtë të hënë, Kremlini mohoi të ketë pasur një bisedë telefonike mes presidentit të sapozgjedhur të SHBA-së, Donald Tramp dhe presidentit rus Vladimir Putin.
“Kjo është krejtësisht e pavërtetë. Ky është një trillim i pastër, është thjesht informacion i rremë,” u tha gazetarëve zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov, duke theksuar se mes dy liderëve nuk ka pasur asnjë bisedë telefonike.
“Ky është shembulli më i dukshëm i cilësisë së informacionit që po publikohet tani, ndonjëherë edhe në gazeta me reputacion të lartë,” tha Peskov.
I pyetur nëse Putini kishte plane për ndonjë kontakt me Trampin, zëdhënësi i Kremlinit u shpreh se nuk ka ndonjë plan konkrete.
Gazeta amerikane “Washington Post”, duke cituar burime të paidentifikuara, raportoi të dielën se Trampi zhvilloi një bisedë telefonike me Vladimir Putinin më 7 nëntor, një ditë pasi kishte biseduar me presidentin e Ukrainës, Volodimir Zelenski, duke i kërkuar kreut të shtetit rus që të mos e përshkallëzojë konfliktin në Ukrainë.
Gjatë fushatës për zgjedhjet presidenciale, republikani Tramp deklaroi se nëse do të zgjidhej president ai do t’i jepte fund shumë shpejt luftës në Ukrainë, ndërsa ka kritikuar vazhdimisht ndihmën financiare dhe ushtarake që SHBA-ja i ka dhënë Ukrainës që nga nisja e konfliktit të armatosur në shkurt të vitit 2022.