Kremtimi i Besëlidhjes së Skënderbeut, Begaj pret arbëreshët: Sfidat tona të reja duhet t’i përballojmë bashkë
Sot mbushen 580 vite nga Besëlidhja e Lezhës, që u mbajt në 2 mars të vitit 1444 e ku u hodhën themelet e shtetit të parë të mirëfilltë shqiptar. Presidenti Bajram Begaj mbajti një takim me delegacionin arbëresh në Presidencë për të kremtuar këtë ditë.
Teksa solli në vëmendje sesi Skënderbeu dhe të gjithë përfaqësuesit e krahinave shqiptare u bënë bashkë për të kapërcyer vështirësië e asaj kohe, Begaj tha se kjo është e vetmja mënyrë për të kapërcyer edhe sfidat e sotme.
“580 vite më parë, Heroi ynë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe të gjithë përfaqësuesit nga të gjitha krahinat shqiptare u bashkuan dhe dhanë besën për të qenë bashkë në ditë të vështira, për të përballuar sfidat e kohës. Sfidat tona të reja, përballohen sëbashku, jo vetëm për ne si bashkatdhetarë, por edhe me miqtë, partnerët. Po jetojmë kohë të vështira, lufta në Ukrainë, një situatë jo e këndshme në Lindjen e Mesme dhe kjo kërkon që të jemi bashkë. Kjo është një ditë për të falënderuar edhe Italinë, që ju dha mundësinë që të mbani gjallë të gjitha vlerat shqiptare”, u shpreh Presidenti.
Lidhja e Lezhës ka qenë një aleancë ushtarake që u themelua në Lezhë më 2 mars 1444, me Skënderbeun si kryeprijës të bashkuar kundër Perandorisë Osmane.