Kremtohet 120 vjetori i shkollës shqipe në Iballë të Pukës
Në Iballë të Pukës, u kremtua 120 vjetori i të parës shkollë shqipe. Ajo u hap nga “shkollari” Kol Zezaj, dhe në të kanë mësuar shkrim e këndim mijëra nxënës.
Në përvjetorin e shkollës, komuniteti i Iballës organizoi një ceremoni që bëri bashkë të shkuarën dhe të sotmen. Ajo risolli në vëmendje personalitetet e dala nga kjo shkollë, kontributi i të cilëve është shënuar në momentet më kyçe të historisë së Shqipërisë.
Në ceremony mori pjesë edhe presidenti Bajram Begaj. Në fjalën përshëndetëse, Kreu i Shtetit vlerësoi përpjekjet e komunitetit për kapërcimin e sfidave si edhe angazhimin e mësuesve të Iballës për të përcjelle dije ndër breza.
“ Këto vise kanë nxjerrë shumë patriotë e njerëz të dijes, por kur përmendet shkolla e Iballës, dëshiroj të veçoj emrin e nderuar të një patrioti të shquar e mjeshtri të shqipes si Dom Ndre Mjeda dhe vëllait të tij Imzot Lazër Mjeda” kujtoi zoti Begaj.
“Ne të gjithë e duam shqipen, e shumë autorë shqiptarë i kanë kushtuar vargje asaj. Por, disa prej tyne dallohen për melodinë që i rrjedh në vargje, për përkushtimin që kanë për çdo tingull, e për bukurinë mahnitëse më të cilën e flasin gjuhën tonë. I tillë është Ndre Mjeda, bir i këtyre trojeve, shqiptar i kulluar e mjeshtër i shqipes” tha presidenti.
Zoti Begaj edhe një herë u ndal mbi mësimin e gjuhës shqipe në Shqipëri. “Duhet të insistojmë e kujdesemi për cilësinë e këtij mësimi dhe cilësinë e shqipes që përdorin fëmijët tanë” tha ai.
“Shkolla, veçanërisht me anë të mësimit të gjuhës shqipe, të kthehet në vatër angazhimi për prindër e komunitete të cilët punojnë bashkërisht që gjuha jonë të përdoret e kultivohet me përkujdesjen që i takon” tha zoti Begaj.
Presidenti Begaj mori në disa aktivitete siç ishin çelja e muzeut të shkollës, nderimi që iu bë kontrubuesit të hapjes së kësaj shkolle ”Frrok Kol Pemati”, ceremonia e emërtimit të rrugës “I Lumi Fran Miraka” dhe një koncert nga artistë të Iballës të ardhur nga diaspora.
Në ambientet e shkollës u ekspozuan librat e autorëve të dalë nga kjo shkollë dhe tablo pikturash për peisazhin e kësaj malësie.