“Krenar për Shqipërinë”, Rama nis sot turin me diasporën nga Athina. Greqia merr masa sigurie
Kryeministri Edi Rama nis sot (12 maj) takimet e tij me diasporën shqiptare në botë në kuadër të turit “Krenar për Shqipërinë”.
Takimi i parë do të jetë me shqiptarët në Athinë, ku sot në orën 11.00 do të mbajë një fjalim në stadiumin Galatsi, në sallën “Christmas Theater”.
Takimi i Ramës do të jetë privat i fokusuar vetëm te shqiptarët që jetojnë dhe punojnë në shtetin fqinj, dhe nuk do të ketë takime me zyrtarë grekë. Për takimin janë marrë masa të rrepta sigurie për mbarëvajtjen e ktivitetit, ku qindra punonjës policie do të jenë në dispozicion për të siguruar kalimin e qetë të Edi Ramës në vendin ku do të zhvillohet fjalimi.
Kreu i qeverisë pritet të mbërrijë në Greqi në orën 9.00 i shoqëruar nga anëtarë të qeverisë së tij dhe më pas do i drejtohet stadiumit Galatsi ku do të mbajë fjalën e tij para emigrantëve shqiptarë në orën 11.00.
Pas Athinës, Rama do të vijojë turin e takimeve me diasporën edhe në Milano, Londër dhe Dusseldorf.