Kreu i ICITAP, Ducot – Rrumbullakut: Ju përgëzoj për rezultatet e operacioneve të fundit dhe për partneritetin me ICITAP-in.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullakut, duke marr pjesë në Konferencën Vjetore të Shoqatës Ndërkombëtare të Shefave të Policisë, ka zhvilluar një tjetër takim të rëndësishëm me drejtorin e ICITAP-it, z. Gregory Ducot.
Sipas njoftimit nga Policia e Shtetit, mësohet se qëllimi i këtij takim ka qenë forcimi i bashkëpunimit ndërmjet Policisë së Shtetit dhe agjencive amerikane të zbatimit të ligjit, bashkëpunim ky i ndërtuar dhe i forcuar mbi baza të shëndosha të besimit reciprok.
Gjatë takimit, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit e ka njohur drejtorin e ICITAP-it, z. Gregory Ducot, me reformat në Policinë e Shtetit, që kishin për qëllim përmirësimin e organizimit strukturor, menaxhimit optimal të burimeve njerëzore dhe përshtatjes së këtyre strukturave me institucionet e reja të drejtësisë dhe ndjekjes penale.
Gjithashtu, Drejtori i Përgjithshëm e informoi z. Dukot, për prioritetet strategjike të Policisë së Shtetit, të cilat erdhën si rezultat i një analize të thelluar dhe një vlerësimi të detajuar të kërcënimeve kriminale, si dhe për operacionet e suksesshme të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me SPAK-un dhe me Prokuroritë e Juridiksionit të Përgjithshëm në të gjithë Shqipërinë, të cilët u finalizuan me goditjen e grupeve të strukturuara kriminale të trafikimit dhe shpërndarjes së narkotikëve dhe rrjedhimisht me arrestimin e një numri të madh autorësh dhe sekuestrimin e sasive të konsiderueshme të lëndëve narkotike, armëve dhe prova të tjera materiale.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit e siguroi z. Ducot se rezultatet e kohëve të fundit janë kontribut edhe i asistencës së ofruar nga agjencitë amerikane të zbatimit të ligjit, të cilat kanë mbështetur në vijimësi strukturat e Policisë së Shtetit, për forcimin e kapaciteteve profesionale dhe logjistike.
Nga ana e tij, z. Dukot u shpreh se ka ndjekur me vëmendje zhvillimet e operacioneve në Shqipëri, për të cilat është informuar nga zyra e ICITAP-it në Tiranë, si dhe përgëzoi Drejtorin e Përgjithshëm, për rezultatet dhe veçanërisht për bashkëpunimin efektiv ndërmjet Policisë së Shtetit dhe organeve të Prokurorisë.
Ai vlerësoi se partneriteti ndërmjet ICITAP-it dhe Policisë shqiptare është nga më të hershmit në rajon dhe siguroi se mbështetja për Policinë e Shtetit, do të vijojë pa kursim, qoftë në forcimin e mëtejshëm të kapaciteteve profesionale dhe atyre logjistike.