Kreu i PD i përgjigjet Ramës: Komisioni për reformën zgjedhore të fillojë menjëherë punën
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha në një konferencë për mediat i është përgjigjur deklaratës së djeshme (10 janar) të kryeministrit Edi Rama sa i takon mos-interesimit të opozitës për nisjen e punës së Komisionit bipartizan për Reformën Zgjedhore.
Sipas Bashës, tashmë nuk ka më alibi, pasi siç u shpreh ai opozita është e përfaqësuar plotësisht.
Po ashtu Basha tha se vota e emigrantëve është një propozim që i jep fund pengesave për të mundësuar realizimin e votës së shqiptarëve që jetojnë jashtë.
Basha tha se deklarata e Ramës gjatë ditës së djeshme është vetëm një alibi për t’ju shmangur përgjegjësisë ndërsa tha se PD është gati të nisë procedurat për të mbledhur sa më parë komisionin e Reformës Zgjedhore.
“Dje dëgjuam kryeministrin që iu kthye lojës së vjetër të gjetjes së alibive për mos mbledhjen e komisionit. Mesazhi që kam, për një kohë të gjatë kanë përdorur gjendjen ku ndodhet opozita për t’u iku përgjegjësive. Në raport me Komisionin për Reformën Zgjedhore kjo alibi nuk pi ujë. Ka deputetë të PD dhe përfaqësues të partive aleate. Spektri opozitar është i plotësuar. Propozimet tona janë konsultuar gjerësisht, pa diskutim ne mbetemi të hapur nëse ka plotësime apo propozime për plotësime për çështje të tjera që Reforma Zgjedhore duhet të trajtojë ndonëse mendojmë se me paketën tonë, kemi shteruar kërkesat që u shërbejnë njerëzve”, u shpreh Basha.
Ndaj tha ai, platforma jonë nuk është partizane, nuk i shërben një partie politike por njerëzve. Shqipëria ‘një zonë elektorale’ i jep përgjigje pabarazisë së votës. Me propozimet tona, i japim përgjigjie shteruese edhe pikëpyetjeve të vendosura deri tani për të ndaluar votën e emigrantëve. Prandaj alibitë kanë rënë, sot disa ditë para nisjes së sesionit të ri të Kuvendit, thirrja ime është Komisioni i Reformës Zgjedhore të nisë menjëherë nga puna”
Nuk ka alibi përveç atyre që shpiken vetë, theksoi Basha, komisioni duhet të fillojë nga puna një orë e më parë. Bashkëkryetari do të hedhë të gjithë procedurat për të filluar këtë komision për të treguar se kush e do këtë komision dhe kush nuk e do”- u shpreh Basha mes të tjerash.
Më tej Basha duke shpalosur prioritet e PD-së, për disa projektligje, shtoi se, pas depozitimit të paketës për reformën zgjedhore, konfirmojë në emër tim dhe të Partisë Demokratike që kemi shprehur dakordësinë për heqjen dorë në mënyrë vullnetare për imunitetin.