Kreu i PL-së, Meta replikë me ish-Presidentin Boris Tadiç: Serbia të njohë pavarësinë e Kosovës
Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta i është përgjigjur ndërhyrjes së ish-Presidentit të Serbisë, Boris Tadiç për Kosovën. Të pranishëm në Samiti Ekonomik për Euroazinë që u mbajt në Stamboll, Meta i ka bërë thirrje Serbisë të njohë pavarësinë e Republikës së Kosovës.
Ilir Meta ka theksuar se ” Pavarësia e Republikës së Kosovës ka forcuar stabilitetin e rajonit tonë dhe ka ndikuar për integrimin euroatlantik të fqinjëve të saj”
Sakaq, ish- Presidenti Meta ka theksuar gjithashtu se “edhe pse është shteti më i ri i rajonit tonë, Kosova është shembull për vendet tona për zgjedhjet e lira dhe demokracinë funksionale, dhe po kështu për transparencën dhe llogaridhënien sipas organizatave ndërkombëtare më prestigjioze”.
Gjithashtu, Meta gjatë fjalës së tij ka theksuar se, “stabiliteti politik dhe ekonomik nuk duhet të merret si i mirëqenë askund në botë. Ky stabilitet ka qenë dhe do të jetë gjithmonë nën kërcënim për aq sa konfliktet po shfaqen ende.Nëse stabiliteti është themeli i sistemit tonë demokratik dhe kapitalist, krizat janë tipare të pashmangshme të tij.
“Nuk duhet të kemi frikë nga krizat, por duhet të kemi frikë nga stabiliteti i brishtë dhe pasiguritë e përhershme. Stabiliteti nuk do të zëvendësojë prosperitetin ekonomik dhe as nuk do të sigurojë zhvillim gjithëpërfshirës.Diktaturat kanë mbijetuar kur vendet dhe njerëzit e tyre kanë qenë të kënaqur vetëm me stabilitetin. Koha për të vepruar është tani, para se të jetë shumë vonë!”, – u shpreh Meta.
Kryetari i PL, Ilir Meta ka marrë pjesë në Samitin Ekonomik për Euroazinë në Stamboll, me ftesë të Presidentit të Fondacionit të Marmarasë, Akkan Suver, ku të pranishëm ishin shumë ish-kryetarë shtetesh, liderë politikë dhe ekspertë të shquar botërorë në fushën e ekonomisë.