Kreu i SPAK Dumani: 151 procedime penale me 133 persona nën hetim në 9 muaj
Ashtu siç pritej Kreu i Prokurorisë së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit Altin Dumani, duke folur në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian, publikoi rezultatet e arritura nga SPAK gjatë 9 muajve të vitit 2023.
Ai tha se gjatë kësaj periudhe SPAK ka vendosur nën hetim një ish-ministër, një ish-zv/ministër dhe gjashtë ish-kryetarë bashkie.
Zoti Dumani tha se ka një rritje prej 75 % të procedimeve penale lidhur me funksionarë të Policisë së Shtetit.
“Nga 1/1/2023- 30/09/2023 janë regjistruar 151 procedime penale, me 133 persona nën hetim. Nga këto në total janë 13 procedime penale me 15 persona nën hetim, ish-funksionarë të lartë publik dhe ish-funksionarë të drejtësisë. Konkretisht nën hetim u vendosën 1 ish-ministër, 1 ish-zv/ministër, 6 ish-kryetarë bashkie, 2 ish-sekretarë të përgjithshëm, 3 ish-gjyqtarë dhe 1 ish-prokurorë. 4 prej tyre ish-funksionarë të drejtësisë, një prej tyre i shkarkuar nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në kuadër të procesit të Vetingut. 7 procedime penale për ish-funksionarë të Policisë së Shtetit. Numri i procedimeve penale ndaj ish-funksionarëve të Policisë së Shtetit u rrit me 75 % këtë vit, krahasuar me vitin e shkuar” tha zoti Dumani.
Më tej kreu i SPAK tha se në gjykatë u dërguan me kërkesë për gjykim 24 procedime penale me 89 persona të pandehur. 7 prej tyre janë ish-zyrtarë të lartë. ” Numri i procedimeve ndaj ish-zyrtarëve të lartë u rrit me 20 % dhe të personave të pandehur 40 % më shumë se në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit paraardhës”, zoti Dumani.
Kreu i SPAK vuri në dukje se paralelisht me hetimin e personave të dyshuar, po kryhet dhe vlerësimi i pasurisë së vendosur me burime kriminale.
“Hetimi i pasurive të vëna nga vepra penale e korrupsionit po hetohen. SPAK gjatë kësaj periudhe, në këtë 9-mujor ishte i vëmendshëm që për zyrtarët që ushtrohet ndjekja penale për veprën penale të korrupsionit krahas ngritjes së akuzës penale dhe dërgimit të çështjes në gjyq, vëmendje ka marrë identifikimi dhe sekuestrimi i vlerës së produktit të veprës penale, me qëllimin final konfiskimin e pasurisë së vënë nga vepra penale e korrupsionit. 4 vendime janë dhënë në këtë drejtim për sekuestro preventive sipas Kodit Penal, duke shënuar një rritje 33 % krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraardhës. Është dhe një vendim për ish-funksionarin e lartë, është vendimi i parë që jepet për një ish-funksionar i lartë, i drejtësisë faktikisht”, nënvizon Kreu i Prokurorisë së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit Altin Dumani duke folur në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian.