Krijimi i hartës digjitale të tokave bujqësore, kërkesë e procesit të integrimit në BE
Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural (MBZHR) po bashkëpunon me Agjencinë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) për krijimin e hartave digjitale të tokave bujqësore në Shqipëri.
MBZHR bën të ditur se, hartat e tokës, kadastra e tokës dhe sistemi final i rrjetit për të dhënat e kontabilitetit nga ferma (FADN), si kusht paraprak për integrimin në BE në sektorin e bujqësisë, kërkon jo vetëm fonde buxhetore të vendosura në dispozicion nga pushteti qendror, por kërkon një ekspertizë më të thelluar dhe mbështetje të partnerëve strategjikë.
Në këtë kuadër MBZHR ka nisur puna me mbështetjen e BE dhe USAID për të vendosur një plan konkret të rëndësishëm në mbështetjen e ekspertizës për të ndërtuar këto harta, që së bashku me të gjitha informacionet e lartë përmenduara i shërbejnë integrimit në BE
Sipas MBZHR-së, aktualisht janë digjitalizuar shumë procese dhe shërbime publike, që kanë ulur kostot dhe i kursejnë kohë qytetarëve dhe fermerëve.
Janë 19 shërbime bujqësore që ofrohen online dhe brenda këtij viti MBZHR do të shtojë edhe 25 shërbime të tjera në këtë sektor, që do të ofrohen online për operatorët e sektorit rural.
MBZHR bën të ditur se, këto nisma janë në përmbushje të kërkesave të procesit të integrimit, ndaj dhe të gjitha projektet e nisura janë në mbështetje të një sistemi më të përparuar digjital.