Krim në Shkodër – 34-vjeçari gjendet i vrarë në automjet, partnerja në gjendje të rëndë

Të shtëna me armë janë regjistruar mesditën e sotme (18 shkurt) në Shkodër.
Sipas informacioneve të para nga blutë e Shkodrës, bëhet me dije se 34-vjeçari Kolë M. ka humbur jetën si pasojë e plagës së marrë nga arma e zjarrit, ndërsa një grua, e cila raportohet se është bashkëjetuesja e tij prej vitesh, është dërguar drejt Spitalit Universitar të Traumës në Tiranë në gjendje të rëndë për jetën.
Krimi i rëndë mësohet se ndodhi brenda automjetit në pronësi të gruas, që ishte parkuar pranë kopshtit publik ku punonte 44-vjeçarja. E plagosura është nënë e trë fëmijëve.
Sipas policisë, automjeti nuk rezulton të ketë dëmtime të jashtme të shkaktuara nga armë zjarri, duke shmangur mundësinë e një atentati, por brenda tij është gjetur një pistoletë.
“Rreth orës 11:15, në lagjen “Mark Lula”, janë gjetur në një automjet, shtetasi K. M., 34 vjeç dhe shtetasja A. P., me plagë të shkaktuara nga armë zjarri. Shtetasi K. M. ka humbur jetën, ndërsa shtetasja A.P. është dërguar në spital, në gjendje shumë të rëndë.
Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes dhe po kryejnë veprimet hetimore për rastin.
Nga veprimet e para rezulton se automjeti nuk ka dëmtime të jashtme të shkaktuara nga armë zjarri. Në brendësi të automjetit është gjetur një armë zjarri pistoletë. Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijon punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes”, thuhet në njoftimin e policisë.