Krimet e Komunizmit/ Memorandum bashkëpunimi mes instituteve të studimeve Shqipëri-Rumani
Nënshkruhet memorandumi i bashkëpunimit mes institutit të studimeve për krimet dhe pasojat e komunizmit në Shqipëri dhe atij rumun.
Këtë të mërkurë u mbajt forumi “përballja me të shkuarën komuniste dhe politikat e kujtesës sot ndërmjet kërkimit dhe politikë-bërjes”, ku u trajtua çështja e krimeve të komunizmit.
Erjola Likaj, Këshilltarja ligjore vendase pranë organizatës Prezenca e OSBE-së në Shqipëri deklaroi në fjalën e saj se Shqipëria ka bërë punë të madhe sa i përket përballjes me të kaluarën, ndonëse ka ende shumë punë për t’u bërë në këtë drejtim.
“Ju punoni për të hedhur dritë mbi atë që ka ndodhur në të kaluarën në Shqipëri. Që të mos ndodhë harresë e asaj që ka ndodhur në Shqipëri.
Shqipëria ka bërë punë të gjatë e të madhe në përballjen me të kaluarën. Ka shumë punë për t’u bërë. Vëmë re një rritje të interesit për çështjet e drejtësisë tranzitore. Një nga çështjet e rëndësishme është ajo e liberalizimit ose hapjes së dosjeve të ish-sigurimit të shtetit në Shqipëri dhe për lustracionin. Po i ndjekim me shumë kujdes këto tema”, tha Likaj.
Prezenca e OSBE në Shqipëri ka mbi një dekadë që punon për këto çështje në bashkëpunim me institucionet shqiptare dhe në partneritet me organizatat ndërkombëtare.