Kristaq Kume për RTSH-në: Partitë nuk kanë vullnet për reformën zgjedhore
“Forcat politike nuk kanë vullnetin për përmirësimin e kodit zgjedhore dhe se debatet janë për politikën e ditës“. Gjykon kështu, ish-kryetari i KQZ-së, Kristaq Kume i cili shprehet skeptik se edhe nëse palët do të arrijnë dakordësi nuk do të shkojnë tek thelbi.
Në intervistën për RTSH-në ai sjell disa problematika që duhet të adresohen, sikundër është garantimi i votës së emigranteve.
Kume e konsideron sfidë të pamundur.
“Efekti i kësaj do të jetë pothuajse zero, sepse të mund të votosh zgjedhësin jashtë territorit të vendit, duhet të kesh të regjistruar adresën këtu në Shqipëri. Sot ne kemi të regjistruar 12-13 mijë shtetas dhe pretendojmë të realizojmë gati 1 milion e ca shtetas, t’u japim të drejtën për të votuar jashtë territorit”, tha Kume.
Për ekspertin e çështjeve zgjedhore dhe ish-drejtuesin e KQZ-së, ndalimi i koalicioneve me kushtetutë është një tjetër problem i kodit, që në këtë rast penalizon opozitën.
“Do thoja që po sepse opozita e sotme ka mundësi të realizojë garën zgjedhore me të tilla taktika elektorale. Kurse Partia socialiste nuk ka nevojë fare, nuk bën kualicion me asnjë”, tha Kume.
Kume gjykon si me të drejtin sistemin zgjedhor proporcional rajonal, ndarjen e Shqipërisë në 4 rajone zgjedhore dhe listat e hapura 100 %.
Sa i takon argumentit kundërshtues së këtyre listave, se i hapin rrugë botës së krimit për t‘u futur në Parlament, ai thotë se përgjegjësia është e partive dhe jo e listave si të tilla.
“Mos e konsideroni votën parapëlqyese si instrument i cili prodhon një gjë të tillë. Jo, kërkojeni tek partitë politike”, theksoi Kume
Kume thekson se Reforma Zgjedhore duhet të jetë gjithëpërfshirëse për çdo faktor politik.